Trendy

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë, VLEN-i fton deputetët në mbështetje

Para 2 orë

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i ndodhur në procedurë parlamentare, mund të bllokohet nga opozita. Sali thotë se kjo është e drejtë e opozitës, por fton për korrigjime me amendamente.

“Ne propozojmë një ligj konkret që besojmë se do të jetë ligji më i mirë për rrethanat aktuale, e që do t’i mbrojë interesat etnike edhe të shqiptarëve, por edhe etnive të tjera, për arsye se nuk është i fokusuar vetëm në një etni. Zotëri Sela si do të sillet, është e drejtë e tij politike, por edhe përgjegjësia e tyre politike nëse këtij propozim-ligji nuk i propozojnë amendamente me të cilin do ta kishin përmirësuar sipas bindjeve të tyre apo sipas qasjes së tyre drejt ligjit. Kështu që mbetet obligim i deputetëve të japin amendamente dhe sipas asaj të hapet debat publik për avancimin e ligjit.”, – theksoi zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, më optimist se Badinteri do të jetë i siguruar.

“Po, patjetër që do të sigurojmë Badinter, deri më tani kemi siguruar Badinter. Unë kërkoj përkrahje nga të gjithë deputetët që të miratojmë ligjin, që të vëmë në funksion përfaqësimin adekuat edhe bazuar në ligj, që pastaj kurdo dhe kushdo që të vlerësojë që ligji ka nevojë për përmirësim do ta ketë atë mundësi.”, – u shpreh bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami.

Propozim-ligji për përfaqësim nuk parashikon dënime në rast të shkeljeve, por VLEN-i pretendon që trupi koordinativ, i cili do të ndjekë zbatimin e ligjit në periudha njëvjeçare do të raportojë shkeljet.

Ky trup përfshin më shumë institucione që nuk janë të lidhura me politikën ditore dhe kontributi i tyre do të bëj që zbatimi të jetë funksional dhe mos varet vetëm nga politikat e një garniture politike.

Trending