Trajneri i Anglisë, Tomas Tuhel, do të publikojë këtë të premte listën e lojtarëve që ka grumbulluar për Botërorin 2026. Por pjesë e asaj liste nuk do të jetë Herri Meguajër, i cili për disa vite ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në ekipin për të cilin ka luajtur 66 ndeshje që nga viti 2017.
Ai nuk ka qenë pjesë kryesore e planeve të Tuhel në kualifikueset e fundit, duke luajtur vetëm në miqësoret e marsit. Por forma që kishte treguar me Mançester Junajtid, kishte lënë të mendohej se 33-vjeçari mund të ishte pjesë e përfaqësueses për Botërorin e tretë radhazi.
Ka qenë vetë mbrojtësi ai i cili ka zyrtarizuar gjithçka me një postim në rrjete sociale një ditë para publikimit të listës.
“Isha i bindur se mund të luaja një rol madhor këtë verë për vendin tim pas sezonit që kam kaluar. Kam mbetur i tronditur dhe i zhgënjyer nga vendimi.
Nuk kam dashur asgjë më shumë se sa të veshja atë fanellë dhe të përfaqësoja vendin tim në këto vite. I uroj lojtarëve më të mirën këtë verë”, ishte postimi i Meguajër në rrjetet sociale, ku ndër komentet e para ishte ai i mamasë së tij, Zoe.
“Nuk mund të bëje më shumë. Mbaje kokën lart… E turpshme”, shkruante ajo në mbështetje të të birit.










