Trendy

Trump kërcënon Iranin: Do t’ua marrim uraniumin e pasuruar

Para 2 orë

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA nuk do ta lejojë Iranin të mbajë rezervat e uraniumit të pasuruar, ndërsa la të kuptohet se tensionet ushtarake mund të rikthehen shumë shpejt. Paralelisht, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio foli për “progres” diplomatik, por paralajmëroi se Uashingtoni ka edhe “opsione të tjera”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar deklarata të forta ndaj Iranit, duke paralajmëruar se Uashingtoni nuk do të lejojë Teheranin të mbajë rezervat e uraniumit të pasuruar dhe duke lënë të kuptohet se konflikti mund të rikthehet në ditët në vijim.

Gjatë një deklarate për gazetarët, Trump u shpreh se SHBA synon të marrë kontrollin mbi rezervat iraniane të uraniumit të pasuruar, duke theksuar se ato përbëjnë një kërcënim të papranueshëm.

Do ta marrim ne. Nuk na duhet. Nuk e duam. Me shumë mundësi do ta shkatërrojmë pasi ta marrim. Por nuk do t’i lejojmë ta mbajnë”, deklaroi Trump.

Deklarata e presidentit amerikan vjen në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe vetëm pak ditë pas spekulimeve për negociata të reja mes SHBA-së dhe Iranit lidhur me programin bërthamor.

Trump la të kuptohet gjithashtu se fundjava e ardhshme mund të sjellë një tjetër përshkallëzim ushtarak me Iranin. Ai madje tha se mund të mos marrë pjesë në dasmën e djalit të tij për shkak të situatës.

Kam diçka që quhet Iran”, u shpreh ai para gazetarëve.

Një tjetër çështje që Trump preku ishte situata në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Presidenti amerikan deklaroi se SHBA nuk do të lejojë Iranin të vendosë tarifa apo kontrolle mbi kalimin në këtë rrugë detare ndërkombëtare.

Ne duam që Hormuzi të jetë i hapur. Duam të jetë i lirë. Nuk duam tarifa. Është një rrugë ujore ndërkombëtare dhe nuk vendosen tarifa atje”, tha Trump.

Ai pretendoi gjithashtu se bllokada amerikane ndaj Iranit po i shkakton Teheranit humbje prej rreth 500 milionë dollarësh në ditë, duke penguar eksportet përmes ujërave jugore.

S’ka kaluar asnjë anije pa miratimin tonë. Marina amerikane ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Asnjë anije nuk shkon drejt Iranit apo largohet prej tij pa miratimin tonë”, deklaroi presidenti amerikan.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi më herët se ka “disa shenja pozitive” në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, por paralajmëroi se nuk duhet të ketë pritshmëri të tepruara.

Besoj se kemi bërë njëfarë progresi, por kemi të bëjmë me një sistem disi të fragmentuar, sistemin iranian”, deklaroi Rubio nga Miami.

Sipas tij, prioriteti i Donald Trump mbetet arritja e një marrëveshjeje të mirë diplomatike me Iranin, por Uashingtoni është i përgatitur edhe për skenarë të tjerë nëse bisedimet dështojnë.

Nëse nuk arrijmë një marrëveshje të mirë, presidenti e ka bërë të qartë se ka opsione të tjera. Nuk do të hyj në detaje se cilat janë ato, por të gjithë e dinë”, tha Rubio.

Ai paralajmëroi gjithashtu Iranin lidhur me çdo tentativë për të vendosur tarifa apo kufizime në Ngushticën e Hormuzit, duke e cilësuar një veprim të tillë “të papranueshëm dhe të paligjshëm”.

Askush në botë nuk është pro sistemit të tarifave në Hormuz. Nuk mund të ndodhë. Do ta bënte të pamundur një marrëveshje diplomatike dhe do të ishte një kërcënim për gjithë botën”, deklaroi shefi i diplomacisë amerikane.

Trending