Trendy

“Al-Arabiya”: Drafti final i marrëveshjes SHBA-Iran gati, njoftimi brenda pak orësh

Para 2 orë

Sipas raportimeve nga media iraniane dhe rrjeti Al-Arabiya, SHBA dhe Irani thuhet se kanë përfunduar draftin final të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Pakistani. Dokumenti parashikon armëpushim të plotë, siguri në Ngushticën e Hormuzit dhe nisjen e heqjes graduale të sanksioneve ndaj Teheranit.

Një zhvillim potencialisht historik duket se po merr formë në Lindjen e Mesme. Media iraniane, duke cituar rrjetin arab Al-Arabiya, raportojnë se drafti final i një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është përfunduar me ndërmjetësimin e Pakistanit dhe se njoftimi zyrtar mund të bëhet edhe brenda orëve të ardhshme.

Edhe pse deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar as nga Uashingtoni dhe as nga Teherani, raportimet kanë ngritur pritshmëri të mëdha për një ulje të tensioneve pas javësh përshkallëzimi në rajon.

Sipas informacionit të publikuar, drafti i marrëveshjes parashikon një armëpushim të menjëhershëm dhe të plotë mes palëve, si dhe angazhimin për të shmangur sulmet ndaj infrastrukturave strategjike dhe civile.

Një nga elementët më të rëndësishëm të marrëveshjes lidhet me sigurinë në Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Drafti thuhet se garanton lirinë e lundrimit në zonë përmes një mekanizmi të përbashkët monitorimi.

Kjo pikë konsiderohet thelbësore për tregjet ndërkombëtare të energjisë, pasi çdo tension në Hormuz rrezikon drejtpërdrejt transportin global të naftës dhe gazit.

Trending