Trendy

Afera e spiunazhit në Presidencë, Filipçe: Stoilkoviqi çdo ditë i jep informacione shtetërore shërbimeve serbe

Para 3 orë

Lideri i opozitës së LSDM-së, Venco Filipçe, ka dalë me akuza të drejtpërdrejta ndaj zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq, duke e lidhur atë me shërbimet serbe dhe me regjimin e Aleksandar Vuçiqit në Beograd.

Deklarata vjen në një moment kur në opinion është hapur një skandal i madh spiunazhi i lidhur me kabinetin dhe funksionimin e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova.

Stoilkoviq, për të cilin pretendohet se ka edhe shtetësi serbe, paraqitet si mbështetës i hapur i konceptit “Bota Serbe” dhe, sipas akuzave politike, mban lidhje me struktura të afërta me Rusinë.

Filipçe ka kërkuar që rasti të hetohet deri në fund, veçanërisht nëse ka rrjedhje informacioni nga një shtet anëtar i NATO-s.

“Ky është skandal që duhet të sqarohet. Nëse ka rrjedhje informacioni nga një shtet i NATO-s, kjo është jashtëzakonisht serioze dhe duhet të ketë përgjegjësi, përfshirë edhe presidenten”, deklaroi Filipçe.

Ai shtoi se këto zhvillime nuk e befasojnë dhe akuzoi qeverinë për lidhje me struktura të afërta me Rusinë.

“Është një zëvendëskryeministër, Stoilkoviq – bashkëpunëtor i shërbimeve serbe, që mban kontakte me ‘Ujqërit e Natës’, të afërt me Putinin. Ai çdo ditë nxjerr informacione jashtë vendit. Kjo është pjesë e kësaj qeverisjeje”, tha ai.

Me këto akuza, Filipçe e zgjeroi peshën politike të rastit, duke e paraqitur atë jo vetëm si çështje të një rrjedhjeje të mundshme të informacioneve, por edhe si çështje të orientimit të sigurisë së Qeverisë, ndikimeve të mundshme të jashtme dhe përgjegjësisë së institucioneve më të larta.

Në kushtet kur Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, akuza të tilla, nëse vërtetohen, do të hapnin pyetje serioze lidhur me sistemin e sigurisë, qasjen në informacione të ndjeshme dhe lidhjet politike të bartësve të funksioneve të larta.

Nga Qeveria akoma nuk kanë komentuar këto akuza që vijnë para një proteste në përkrahje të regjimit të Aleksandar Vuçiqit që mbahet në Kumanovë.

Trending