Dr. Muhammed Havatmi, një studiues dhe restaurues që jeton në Halep në veri të Sirisë, punon në punishten e tij për të ruajtur dhe riparuar dorëshkrime dhe dokumente të rralla që datojnë nga periudha osmane deri në ditët e sotme, transmeton Anadolu.
Ndërsa mijëra faqe dorëshkrimesh nga periudha të ndryshme mbijetojnë në arkiva dhe koleksione private në Halep, një pjesë e konsiderueshme e këtyre veprave po përballen me kërcënimin e zhdukjes.
Havatmi, një ekspert në restaurimin e dorëshkrimeve dhe dokumenteve të lashta, për Anadolu tha se artefaktet në dhe përreth Halepit përfaqësojnë një trashëgimi të rëndësishme qytetëruese që pasqyron historinë, njohuritë shkencore dhe prodhimin kulturor të rajonit.

“Familje të mëdha dhe të njohura ruajnë dokumente të epokës osmane”
Duke tërhequr vëmendjen te rëndësia e dokumenteve të epokës osmane, Havatmi vuri në dukje se familje veçanërisht të shquara kanë ruajtur dokumente të tilla për shumë vite.
“Familje të mëdha dhe të njohura ruajnë dokumente pronësore, të dhëna për vakëfe dhe dokumente pagesash nga periudha osmane. Këto dokumente datojnë veçanërisht që nga periudha e vonë osmane, vitet 1850”, tha Havatmi.
“Këto dokumente zbulojnë identitetin dhe vazhdimësinë që shtrihet nga epoka osmane deri në ditët e sotme”
Duke theksuar se këto dokumente tregojnë vazhdimësi historike, Havatmi tha: “Të dhënat e regjistrit të tokës, dokumentet e vakëfeve dhe dokumentet e identitetit kanë vlerë të madhe. Ato janë gjithashtu historikisht të rëndësishme sepse mbajnë vulën osmane. Këto dokumente zbulojnë identitetin dhe vazhdimësinë që shtrihet nga periudha osmane deri në epokën arabe dhe deri në Sirinë e sotme”.

Puna e restaurimit dhe sfidat e hasura
Havatmi, i cili deklaroi se ka afërsisht 50 vjet përvojë profesionale, shpjegoi se kaloi një pjesë të madhe të karrierës së tij në një punishte të vogël.
Havatmi tha: “Kam punuar për shumë vite në fushën e restaurimit të librave dhe dokumenteve të vjetra. Më vonë, mësova teknika të përparuara dhe u specializova veçanërisht në përdorimin e letrës japoneze”.
Havatmi deklaroi se një nga problemet më të mëdha në punën e restaurimit është sigurimi i materialeve, duke thënë: “Materialet speciale, veçanërisht letra japoneze e celulozës, janë me rëndësi të madhe, por marrja e tyre mund të jetë e vështirë”.

E ardhmja e restaurimit dhe rreziqet e saj
Duke tërhequr vëmendjen ndaj faktit se profesioni është gjithnjë e më shumë në rrezik të harrohet, Havatmi tha: “Kjo fushë kërkon kryesisht njohuri teknike dhe aftësi artistike, por për fat të keq, nuk i kushtohet vëmendje e mjaftueshme sot. Meqenëse është bërë një profesion individual, nuk është përhapur në sistemet e mëdha të bibliotekave dhe po përballet me rrezikun e zhdukjes”.
Havatmi vuri në dukje se programet e trajnimit ndonjëherë organizohen nga Drejtoria e Kulturës dhe Antikiteteve në kryeqytetin Damask, por profesioni nuk merr vëmendjen e nevojshme.
“Ky profesion kërkon durim dhe mjeshtëri. Prandaj, nuk është shumë popullor midis të rinjve”, tha ai.
“Ëndrra ime më e madhe është të ketë trajnime në këtë fushë në të gjitha bibliotekat publike në Halep, të krijojmë punëtori dhe që të rinjtë ta mësojnë këtë profesion. Sepse bibliotekat dhe arkivat e vjetra në Halep përmbajnë një numër të madh dokumentesh dhe librash që duhen ruajtur. Megjithatë, të gjitha këto janë në rrezik të humbasin për shkak të neglizhencës”.










