Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, gjatë hapjes së shtabit zgjedhor të Vetëvendosjes në Shkup, ka përshëndetur bashkimin e koalicionit VLEN dhe ka theksuar rëndësinë e unitetit të shqiptarëve në rajon.
Konjufca deklaroi se Vetëvendosje mbështet bashkimin e shqiptarëve dhe marrëdhënie të mira me Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar lidhjet tradicionale dhe familjare mes shqiptarëve në Kosovë dhe atyre në Maqedoninë e Veriut.
Duke folur për situatën politike në Kosovë, ai tha se vendi po shkon në zgjedhje të reja më 7 qershor, ndonëse sipas tij do të kishte qenë më mirë të zgjidhej presidenti.
“Duhet t’i zgjidhim të gjitha mospajtimet me sistemin e demokracisë, sepse për këtë kanë luftuar breza të tërë”, u shpreh Konjufca.
Ai theksoi se Vetëvendosje hyn në këto zgjedhje me optimizëm, duke kërkuar vazhdimin e qeverisjes së nisur nga viti 2020.
“Më 7 qershor vijmë me njerëzit më të mirë në krye, me Albin Kurtin numër 1, sepse kemi punuar për të mirën e përgjithshme”, deklaroi ai.
Konjufca shtoi se hapja e shtabit të Vetëvendosjes në Shkup ka për qëllim organizimin dhe forcimin e strukturës politike të partisë, duke theksuar se synimi i tyre është vetëm “qëllimi i mirë” për qytetarët.










