Trendy

Arabia Saudite do të prodhojë dronët e saj “Shahed”

Para 4 javë

Një kompani amerikane dhe një firmë saudite ndërtojnë fabrikë për dronë të ngjashëm me modelin iranian Shahed

Një sipërmarrje e përbashkët mes një startup-i amerikan të mbrojtjes dhe një kompanie saudite po ndërton një fabrikë dronësh luftarakë pranë Riadit, që do të prodhojë mjete ajrore pa pilot të modeluara sipas sistemit iranian Shahed, raporton Semafor.

Objekti po zhvillohet nga SR2Vector, një partneritet mes kompanisë amerikane me bazë në Utah, Vector Defence, dhe startup-it saudit SR2 Defence Systems.

Fabrika do të prodhojë një dron sulmues njëkahësh – i projektuar për misione vetëshkatërruese – të quajtur SKYWASP, i zhvilluar nga Vector Defence.

Sipas raportimit, droni ka aftësi të godasë objektiva deri në 1 mijë e 500 kilometra larg, afërsisht distanca nga verilindja e Arabisë Saudite deri në Teheran.

“SKYWASP është një program që mund të balancojë fushën e lojës dhe të rrisë kapacitetet parandaluese të Arabisë Saudite”, deklaron drejtori i strategjisë dhe bashkëthemeluesi i SR2, Lucien Zeigler, për Semafor.

Zeigler nuk bëri të ditur volumin e prodhimit apo afatet konkrete të nisjes së tij, por tha se kapacitetet do të jenë në përputhje me nevojat strategjike të mbrojtjes së mbretërisë.

“Fabrika do të prodhojë volume operacionalisht relevante, në përputhje me kërkesat strategjike parandaluese të mbretërisë”, tha ai, duke refuzuar të japë detaje mbi vlerën e investimit apo kohën e fillimit të prodhimit.

Sipas raportimit, dronët pritet të përdoren si për nevojat e brendshme të Arabisë Saudite, ashtu edhe për eksport drejt vendeve aleate.

Trending