Kryetari i Fondacionit “Maqedonia”, Viktor Stojanov, mëngjesin e sotëm përmes një videoje në Facebook dërgoi mesazhe të ashpra ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, duke shprehur zhgënjim nga sjellja e tyre.
Sipas tij, një pjesë e tyre premtojnë një gjë në Sofje, ndërsa sillen krejt ndryshe kur janë në Maqedoni, duke përmendur publikisht edhe emra sic i tha: Mitko “Xhokeri” nga Strumica dhe Tome Bllazheski nga Ohri.
Në publikimin e tij, Stojanov shkroi se nëse duan mbështetje financiare nga Republika e Bullgarisë, duhet të deklarohen publikisht si bullgarë në Maqedoni, e jo vetëm në Sofje. Ai shtoi se ata që nuk duan të deklarohen publikisht “për të mos pasur probleme”, mund të jenë bullgarë në shtëpi, siç shkroi ai, “dhjetëra mijëra bullgarë të tjerë në RMV”, por pa pretenduar mbështetje financiare nga Bullgaria.
Stojanov bëri krahasim edhe me protestat e shqiptarëve në Shkup dhe tubimin e serbëve në Kumanovë, duke pyetur se ku janë bullgarët në Maqedoni.
“Para një jave shqiptarët me flamuj shqiptarë protestuan në Shkup. Dje në Kumanovë serbët me flamuj serbë. Dikush do të pyeste: po ku janë bullgarët në Maqedoni? Ku janë bullgarët maqedonas?”, shkroi Stojanov.
Publikimi i tij vjen si kritikë e hapur ndaj personave që, sipas tij, kërkojnë mbështetje nga Sofja, por nuk duan të deklarohen publikisht si bullgarë në Maqedoninë e Veriut.
Kush është Viktor Stojanov
Viktor Stojanov është shtetas bullgar dhe kryetar i Fondacionit “Maqedonia”, organizatë e regjistruar në Sofje, e cila në Maqedoni njihet për aktivitetet e saj provokuese dhe asimiluese. Ai pretendon se maqedonasit nuk ekzistojnë dhe se janë bullgarë, ndërsa gjuha maqedonase është dialekt i gjuhës bullgare.
Stojanov ka ndalim aktiv për hyrje në Maqedoni, i vendosur gjatë qeverisjes së Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë para katër vitesh, për shkak të nxitjes së urrejtjes gjatë shënimit të ditëlindjes së Goce Dellçev.(INA)










