Trendy

Komuna e Kumanovës i anashkalon lagjet shqiptare, qyteti po merr dy pamje të ndryshme

Para 2 orë

Anashkalimi i vendbanimeve me shumicë shqiptare nga pushteti qendror dhe ai lokal në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbetet një problem serioz. Pabarazia në shpërndarjen e investimeve dhe mungesa e zhvillimit të balancuar rajonal po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, sidomos në zonat e banuara me shqiptarë. Në Kumanovë, sipas kritikave të opozitës lokale, investimet infrastrukturore janë përqendruar kryesisht në lagjet dhe zonat mitikë me shumicë maqedonase, ndërsa lagjet shqiptare vazhdojnë të mbeten pas, shkruan Portalb.mk.

Përfaqësuesit e opozitës lokale në Komunën e Kumanovës pretendojnë se investimet e kryetarit të Komunës janë orientuar kryesisht në zonat me shumicë maqedonase, ndërsa lagjet shqiptare kanë përfituar shumë më pak projekte infrastrukturore. Nga ana tjetër, banorët e lagjeve shqiptare ankohen se infrastruktura bazike është lënë në harresë, ndërkohë që në zonat e tjera investimet janë dukshëm më të mëdha.

Bunjamin Osmani, banor i një lagjeje shqiptare në Kumanovë, u shpreh për Portalb.mk se mungesa e investimeve në infrastrukturë nga ana e Komunës së Kumanovës u kushton shtrenjtë banorëve.

“Mos rregullimi i rrugëve na dërgon deri në amortizimin më të shpejtë të veturave dhe kështu qytetarëve u kushton nga xhepi mos rregullimi i rrugëve në kohë nga ana e Komunës. Thirrje ime deri te autoritetet komunale është të jenë më syçel dhe të investojnë për mirëmbajtjen e rrugëve dhe rrugicave në të gjithë Kumanovën dhe të mos fokusohen vetëm në një pjesë të saj”, tha ai.

Një banor tjetër i Kumanovës, Eren Ali, për Portalb.mk tha se kryetari i Komunës nuk i ka në fokus qytetarët e Kumanovës dhe problemet e tyre të përditshme.

“Ai nuk e ka mendjen te Komuna, dhe aspak nuk është i angazhuar në përmirësimin e kushteve të qytetarëve. Gjithçka që do të mbahet mend ai janë deklaratat e tij kontraverse, dhe asessi për ndonjë projekt të madh. Do t’i bëja thirrje që t’i përvesh mëngët dhe të punoj për të gjithë qytetarët e Kumanovës pa bërë dallime”, u shpreh Ali.

Më poshtë, Portalb.mk sjell fotografi të gjendjes reale në terren në lagjet shqiptare të Kumanovës, duke përfshirë edhe Zonën Industriale, rruga e së cilës është e mbushur me gropa dhe vetëm aty-këtu e arnuar.

Këshilltari i BDI-së, Blerim Hyseni, për Portalb.mk deklaroi se vazhdon praktika e investimeve selektive dhe se lagjet shqiptare mbeten jashtë fokusit të pushtetit lokal.

“Evident është fakti se in një pjesë të Kumanovës investimet nuk mungojnë, ndërsa në pjesën ku shumicë janë shqiptarët as që ka plan të investohet. Në seancat e Këshillit kemi ngritur vazhdimisht shqetësime për mungesën e investimeve në shkolla dhe infrastrukturë, bur shumë prej pyetjeve tona kanë mbetur pa përgjigje. Edhe rrugët që janë afër qendrës së qytetit kanë mbetur në mëshirë të fatit, ndërsa askush nuk ndërmerr hapa konkretë”, deklaroi Hyseni.

Ai shtoi se, sipas tij, shumica në Këshillin Komunal po realizon interesa të ngushta politike dhe biznesore, në vend që të merret me problemet reale të qytetarëve të Kumanovës.

Edhe këshilltari i ASH-së, Huzeir Mustafa, foli për Portalb.mk lidhur me shpërndarjen e investimeve infrastrukturore nga pushtetit lokal, duke e cilësuar atë si të pabarabartë dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve.

“Gjatë muajve të fundit janë realizuar dhjetëra projekte infrastrukturore pothuajse vetëm në lagjet me popullsi maqedonase, ndërsa në lagjet shqiptare investimet kanë qenë minimale. Kjo krijon një perceptim të qartë të diskriminimit në shpërndarjen e buxhetit komunal. Ndërkohë, në opinion tentohet të krijohet përshtypja sikur edhe në lagjet shqiptare po investohet njësoj, gjë që nuk përputhet me realitetin në terren”, tha Mustafa.

Ai theksoi se të dhënat publike tregojnë qartë disproporcionin e investimeve dhe shtoi se partnerët e koalicionit në pushtetin lokal po mbështesin vendime që, sipas tij, janë të njëanshme dhe të padrejta ndaj një pjese të qytetarëve. Mustafa tha se shumica e investimeve të kryetarit të Komunës kanë shkuar në lagjet e pastra maqedonase siç është Ajduçka Çeshma, Zeleni Rid, Karposh dhe kështu me radhë.

Nga ana tjetër, nga Komuna e Kumanovës, për Portalb.mk u përgjigjën shkurt se Këshilli i Komunës së Kumanovës miraton programin për mirëmbajtjen e infrastrukturës komunale në qytet dhe zonat rurale që i përkasin territorit të Komunës. “Sektori për Punë Komunale dhe Infrastrukturë, Trafik dhe Mbrojtje të Mjedisit dhe Natyrës e zbaton programin, varësisht nga burimet financiare të siguruara dhe të disponueshme”, thonë nga Komuna e Kumanovës.

Fotografitë e mëposhtme pasqyrojnë aktivitetin e Komunës së Kumanovës gjatë muajve të fundit, ku 90 për qind e ndërhyrjeve janë realizuar tërësisht në periferi të Kumanovës dhe në lagjet me popullsi ekskluzive maqedonase; prej tyre, dy janë lagje të përziera dhe vetëm një është lagje e banuar tërësisht me shqiptarë.

Kujtojmë që vetëm në lagjen “Tode Mendol” jetojnë afër 20.000 banorë, ku 90% e përbërjes së kësaj lagjeje janë shqiptarë, ndërsa investimet në këtë pjesë të qytetit thuajse janë harruar. E njëjta situatë përsëritet edhe në lagjen rreth stadiumit të K.F. Bashkimi, ku një pjesë e vogël është asfaltuar me investime private, ndërsa pjesa më e madhe e rrugëve dhe rrugicave ka mbetur e paasfaltuar dhe e pabekatonizuar.

Kriza e infrastrukturës në Kumanovë nuk kufizohet vetëm te rrugët e lagjeve, por shtrihet edhe në menaxhimin e përgjithshëm urban të qytetit. Sipas hulumtimeve të mëparshme të Portalbit, qyteti vuan nga një kaos i përditshëm në komunikacion për shkak të mungesës kronike të parkingjeve të organizuara dhe zonave të gjelbra. Për më tepër, problemet ekologjike dhe mjedisore janë të mprehta, raste si deponia e veturave të vjetra prapa Gjykatës dhe Policisë së Kumanovës kanë mbetur në harresë për vite me radhë, pavarësisht premtimeve të përsëritura të institucioneve për pastrimin e tyre. Kumanova ende mbetet larg standardeve moderne të një qyteti funksional, ku betejat politike në Këshillin Komunal shpesh bllokojnë zgjidhjet afatgjata në dëm të interesit publik.

Trending