Huamarrja e re prej 260 milionë eurosh ka shkaktuar përplasje të ashpra mes pushtetit dhe opozitës në Kuvend. Opozita ngriti dyshime pse shteti po merr sërish borxh, nëse ekonomia ishte në rrugë për t’u bërë një nga tre ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë.
Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, deklaroi se bankat e huaja nuk kanë miratuar shumën e paralajmëruar prej 300 milionë eurosh, por vetëm 260 milionë, për shkak të mungesës së besimit ndaj shtetit. Ai tha se kredia nuk ka projekte konkrete zhvillimore dhe se paratë synohen kryesisht për mbulimin e likuiditetit të buxhetit.
“Sot nuk flasim për investime në hekurudha, spitale apo energjetikë, por për mbulimin e shpenzimeve buxhetore që po rriten më shpejt sesa ekonomia mund të krijojë vlerë të shtuar”, deklaroi Bytyqi.
Nga ana tjetër, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, tha se mjetet do të përdoren për nevoja buxhetore, shpenzime kapitale dhe shlyerje të borxheve ekzistuese. Ai komentoi edhe normën e interesit të huasë, duke ironizuar opozitën.
“Kamata e kësaj huamarrjeje është më e ulët sesa rejtingu politik i partisë suaj, i cili për fat të keq është njëshifror”, u shpreh Stojanovski.
Debati në Kuvend u zgjerua edhe mbi strategjinë fiskale të qeverisë. Deputetja e LSDM-së, Sanja Llukarevska, kritikoi strategjinë duke thënë se ajo mbështetet më shumë në “shpresë” sesa në reforma strukturore reale. Sipas saj, qeveria ka ulur projeksionin për rritjen ekonomike në vitin 2026 nga 3.8 në 3.5 për qind, ndërsa ka rritur pritjet për inflacionin nga 2.5 në 4.5 për qind.
Në mbrojtje të strategjisë doli zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, i cili tha se dokumenti fiskal është rezultat i menaxhimit të përgjegjshëm të qeverisë. Ai akuzoi qeveritë e kaluara për dyfishim të borxhit publik pa arritur rritje të konsiderueshme ekonomike.
“Si mund t’i jepni leksione kësaj qeverie, kur gjatë periudhës suaj borxhi publik u dyfishua, ndërsa rritja ekonomike ishte vetëm 1.9 për qind?”, deklaroi Jankullovski.










