Trendy

FNA: U konfirmuan denoncimet tona për Arbresha Bexheti Feratin, Universiteti i Tetovës u gjobit me 2.500 euro, rektori me 750

Para 3 orë

Inspektorati i Arsimit ka vërtetuar ankesën e FNA-së lidhur me avancimin e Arbresha Bexheti Feratit në Universitetin e Tetovës dhe ka vendosur gjoba ndaj institucionit dhe drejtuesve të tij.

Sipas vendimit, Universiteti i Tetovës është gjobitur me 2.500 euro, ndërsa rektori me 750 euro, për shkak të moszbatimit të udhëzimeve zyrtare brenda afateve ligjore. Inspektorati ka konstatuar se universiteti nuk e ka shpallur të pavlefshëm konkursin dhe nuk e ka përsëritur procedurën, edhe pse ishte kërkuar pas evidentimit të shkeljeve.

Në raport përmendet edhe Komisioni Recenzues, ku bëjnë pjesë Nevzat Elezi, Nexhbedin Beadini dhe Zhaklina Cakovska. Sipas FNA-së, ata nuk janë paraqitur në një takim të thirrur nga Ministria e Arsimit, ku pritej të formalizoheshin masat ndaj tyre.

Rasti ka kaluar edhe në institucione të tjera, përfshirë Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Gjykatën Administrative, e cila pritet të vlerësojë ligjshmërinë e vendimeve të Senatit të Universitetit të Tetovës. Në fokus është edhe mënyra e njohjes së një thirrjeje akademike nga jashtë vendit, për të cilën dyshohet se nuk janë verifikuar kushtet ligjore.

Inspektorati, sipas FNA-së, ka dorëzuar edhe parashtresa dhe propozim-padi për rastin, ndërsa çështja pritet të marrë epilog në gjykatë.

FNA ndërkohë ka kërkuar më shumë transparencë dhe veting në arsimin e lartë, duke e cilësuar ndërhyrjen e institucioneve si hap të domosdoshëm për të adresuar shkeljet e pretenduara në këtë rast.

Trending