Trendy

Kongresisti Self nga Presheva: Ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë

Para 2 orë

Kongresisti amerikan Keith Self, nga radhët e republikanëve, ka deklaruar se gjatë vizitës në Serbi është konstatuar ekzistenca e problemeve reale mes shqiptarëve dhe shtetit serb.

Ai u shpreh të hënën pas takimit me përfaqësues politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës.

“Gjatë vizitës kemi parë se ekzistojnë probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, ashtu siç edhe kemi qenë në dijeni. Megjithatë, do të vizitojmë edhe Kosovën për të parë gjendjen e pakicës serbe atje. Po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar më mirë mënyrën se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, u shpreh Self para gazetarëve.

Ndërkohë, kongresisti Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve ka theksuar se në takime është diskutuar për sistemin arsimor dhe zhvillimin e pabarabartë të shqiptarëve në Serbi, duke i cilësuar këto si një nga problemet kryesore të të drejtave të pakicave. Ai shtoi se është trajtuar edhe çështja e pasivizimit të adresave.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka vlerësuar takimin me kongresistët amerikanë si shumë të rëndësishëm, duke theksuar se diskriminimi dhe standardet e dyfishta ndaj shqiptarëve në Serbi duhet të marrin fund.

Trending