Më 26 maj 2026, rreth orës 06:30, në pikën e pagesës në Demir Kapi në autostradën Gjevgjeli-Negotinë, policia nga Stacioni për Mbikëqyrje Kufitare Mihajllovë arrestoi A.G. (42) dhe G.G. (39), të dy shtetas të Kosovës.
Gjatë kontrollit, policia ndaloi një automjet “Volkswagen Transporter” me targa të Kosovës, i drejtuar nga A.G., si dhe një automjet “Škoda Octavia” me targa të Kosovës, i drejtuar nga G.G. Në furgonin “Volkswagen” u gjetën shtatë migrantë nga Egjipti, ndërsa u konstatua se automjeti “Škoda” shërbente si paraprijës për transportin e tyre.
Për rastin është njoftuar prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ndaj dy shtetasve kosovarë është ngritur kallëzim penal sipas nenit 418-b të Kodit Penal për kontrabandim migrantësh dhe gjykata u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Të arrestuarit janë dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Shkupit për vuajtjen e masës së paraburgimit, ndërsa shtatë migrantët janë vendosur në Qendrën për Azilkërkues në Vizbegovë të Shkupit.
Trending





