Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Manastir kundër zyrtarit policor I.D., për dyshime se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare”.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur më 25 mars të këtij viti. I dyshuari, i cili punon si polic i ri në Stacionin Policor të Manastirit, ka ndërmarrë veprime të paautorizuara jashtë orarit të punës.
Ai ka shkuar në hapësirat e ndërmarrjes publike për parkim dhe transport publik në Manastir, ku është prezantuar si zyrtar policor me qëllim që të ushtrojë presion ndaj të punësuarve.
Polici ka kërkuar anulimin e një gjobe për parkim të parregullt të një automjeti të markës “Audi”, në pronësi të vëllait të tij.
Në arsyetimin me shkrim të kërkesës, ai kishte shkruar me dorën e tij “MPB”, duke tentuar të paraqesë në mënyrë të rreme se automjeti ishte zyrtar. Me këtë veprim, sipas hetimeve, ai ka tentuar t’i vërë në lajthitje punonjësit e ndërmarrjes publike dhe t’i mundësojë vëllait të shmangte pagesën e gjobës.
Trending










