Ish-Presidenti i ShBA’së, Joe Biden, ka paditur Departamentin e Drejtësisë, në një përpjekje për të bllokuar publikimin e regjistrimeve audio dhe transkripteve të intervistës me një shkrues biografie, të cilat ishin marrë nga prokurori i posaçëm që hetoi mënyrën se si ai ka trajtuar dokumentet e klasifikuara, raporton “Associated Press“, përcjell Reporteri.net.
Avokatët e Biden, në padinë e dorëzuar në Gjykatën Federale në Washington kanë pretenduar se Departamenti i Drejtësisë planifikon t’i publikojë dosjet në Kongres dhe në një grup konservator, Fondacionin Heritage, pasi më parë departamenti kishte argumentuar se ato ishin të përjashtuara nga zbulimi sipas ligjit për të dhënat publike.
Avokatët e Biden-it argumentuan se publikimi do të “përbënte një ndërhyrje të pajustifikuar në privatësinë e Presidentit Biden”.
“Çdo amerikan, përfshirë një zëvendëspresident apo ish-zëvendëspresident në detyrë, ka të drejtën e privatësisë në bisedat personale që zhvillon brenda shtëpisë së tij.Dhe kur Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së siguron këtë informacion privat përmes një hetimi penal, ai ka një përgjegjësi të veçantë për ta mbrojtur atë nga publikimi”, kanë deklaruar avokatët e Biden.
Në këtë çështje bëhet fjalë për regjistrime audio dhe transkripte të intervistave të Biden-it në shtëpinë e tij në vitet 2016 dhe 2017 me Mark Zwonitzer, i cili ka punuar me Biden-in në dy kujtimet e tij (memoaret).
Këto materiale u shqyrtuan nga prokurori i posaçëm Robert Hur si pjesë e hetimit të tij për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara nga presidenti, nga koha kur ai ishte senator dhe zëvendëspresident.
Hetimi njëvjeçar i Hurit çoi në një raport prej 345 faqesh që vuri në pikëpyetje moshën dhe aftësinë mendore të Bidenit, por nuk rekomandoi ngritjen e akuzave penale kundër 81-vjeçarit në atë kohë. Hur tha se nuk kishte prova të mjaftueshme për të ndjekur me sukses një çështje në gjykatë.
Biden ka kundërshtuar veçmas publikimin e audios së intervistës së tij me Hurin. Në vitin 2024, Dhoma e Përfaqësuesve votoi për ta shpallur Prokurorin e Përgjithshëm të Biden-it, Merrick Garland, në mospërfillje të Kongresit, pasi ai refuzoi të dorëzonte atë audio, pasi Shtëpia e Bardhë kishte përdorur privilegjin ekzekutiv për ta mbrojtur atë nga Kongresi./Reporteri.net










