Trendy

Filipçe kërkon referendum për anëtarësimin e vendit në BE

Para 5 orë

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, propozon referendum për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimi Evropian. Ai tha se qytetarët duhet të vendosin vetë nëse duan ta paguajnë çmimin e politikave, siç i quajti ai, kriminale të Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE.

VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË

“Dje e dëgjuam Hristijan Mickoskin duke thënë: ‘Nuk do të ketë më lëshime për hyrje në Bashkimin Evropian, jemi të gatshëm ta paguajmë çmimin’. Këtu shtrohen dy pyetje: cilat janë ato lëshime dhe kush do ta paguajë çmimin? Për lëshimet kemi dëgjuar deri tani. Gjithçka që tha rezultoi të ishte një gënjeshtër e madhe. Premtonte se do ta kthente emrin, se do ta anulonte Marrëveshjen e Prespës, se gjuha dhe identiteti ishin të rrezikuara. Por kjo fushatë e rreme gradualisht u zbulua dhe qytetarët tashmë e dinë se asgjë nga këto nuk është e vërtetë”.

Ai shtoi se çmimin e izolimit nuk do ta paguajnë funksionarët e VMRO-së, por qytetarët dhe brezat e rinj.

VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË

“Nuk do ta paguajë Mickoski, as bashkëpunëtorët e tij apo ministrat e tij, sepse të gjithë ata kanë pasaporta bullgare në xhepa. Nuk do ta paguajë banda e tij kriminale. Çmimin do ta paguajnë qytetarët, familjet tona, fëmijët dhe të rinjtë. Kjo bandë në pushtet nuk di të udhëheqë shtetin. Nuk ka kapacitet dhe as njohuri. E kanë zhytur vendin në borxhe, kanë rrënuar standardin jetësor dhe qytetarët mezi mbijetojnë nga një muaj në tjetrin”.

Sipas tij, pushteti po i manipulon sërish qytetarët me gënjeshtra për Evropën dhe identitetin, ndërsa tha se arsyeja e vërtetë pse VMRO-ja ikën nga Evropa është frika nga përgjegjësia. Ai porositi se e ardhmja e shtetit nuk duhet të mbetet peng i politikave të gabuara të pushtetit dhe kërkoi që qytetarët të deklarohen drejtpërdrejt. /SHENJA/

Trending