Përplasje mes pushtetit dhe opozitës sa i përket angazhimit të zëvendëskryeministrit Arben Fetai, i cili vazhdon ta kryejë detyrën, por jashtë koordinimit politik të partnerit qeveritar VLEN. Pas informatave në opinion se Fetai tashmë një periudhë të caktuar nuk paraqitet në punë, ndërsa publikon fotografi nga destinacione turistike të Kontinentit Aziatik, deputeti i LSDM-së Mile Talevski gjatë seancës së pyetjeve të deputetëve në Kuvend, kërkoi llogari nga ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, nëse Fetai shfrytëzon sigurim policor në kurriz të parave të qytetarëve.
“A shfrytëzon edhe më tej Arben Fetai sigurim policor nga Ministria e Brendshme Arben Fetai edhe pse faktikisht nuk e kryen funksionin? Sa zyrtarë policorë janë të angazhuar për sigurimin e tij. Përfaqësuesit e MPB-së a kanë udhëtuar me të në Tajlandë dhe shtete tjera aziatike? Dhe përfundimisht a vlerëson qeveria dhe MPB vlerësojnë se është normale, që qytetarët mezi mbijetojnë në kushte të inflacionit, varfëri dhe borxhe miliardësh, të paguajnë sigurim, privilegje zyrtare dhe luksoz për një funksionar i cili më shumë kalon nëpër destinacione ekzotike sesa në vendin e tij të punës?”, deklaroi Mile Talevski, Deputet i LSDM-së.
Megjithatë ministri që nuk e përmendi as emrin e Fetait, tha se nuk mban bazë ditore se kush shfrytëzon sigurim policor, ndërsa i kërkoi deputetit të dërgojë pyetje me shkrim.
“Lidhur me kolegun dhe në lidhje me sigurimin, me të vërtetë as për ish funksionarët e as për të tashmin udhëheqë evidencë ditore, kush, si dhe pse. Ju lutem dorëzoni pyetjen me shkrim, do të ju dorëzojmë përgjigje me shkrim”, u përgjigj Pançe Toshkovksi, Ministër i Brendshëm.
Para një muaji, kryeministri Hristijan Mickoski tha se Fetai e ka njoftuar se do ta braktisë qeverinë. Lëvizja e këtillë ndodhi pasi Fetai e humbi pushtetin brenda ASH-së së VLEN-it nga çarja politike me Azir Aliun dhe Mimoza Musën. Fetai i ka thënë Mickoskit se do të rikthehet në Bruksel, ndërsa Mickoski deklaroi se ka mundësi që të shfrytëzohet potenciali i tij për pozitën e të dërguarit special në administratën e Brukselit. /Alsat.mk










