Trendy

Shasivari: Ligji i Selës rrezikon t’i paraqesë shqiptarët si “pakicë kombëtare”

Para 2 orë

Profesori universitar i së drejtës kushtetuese, Jeton Shasivari, në një analizë të publikuar në Ina-Online, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me Propozim-Ligjin për përfaqësim adekuat dhe të drejtë të dorëzuar nga grupi i deputetëve të udhëhequr nga Ziadin Sela.

Sipas Shasivarit, formulimi i përfshirë në nenin 2 të propozim-ligjit, ku për çështjet e parregulluara parashihet zbatimi i Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare të Këshillit të Evropës, bart pasoja të rëndësishme juridike, kushtetuese dhe politike për statusin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ai vlerëson se një qasje e tillë është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe me ndryshimet kushtetuese të vitit 2001, të cilat sipas tij nuk i trajtuan shqiptarët si pakicë kombëtare, por si bashkësi politikisht relevante dhe element bashkë-konstitutiv në shtet.

Në analizën e tij, Shasivari thekson se problemi nuk është thjesht terminologjik, por konceptual dhe kushtetues. Sipas tij, referimi ndaj Konventës për Pakicat Kombëtare krijon rrezik që shqiptarët të perceptohen juridikisht si pjesë e kategorisë së “pakicave kombëtare”, duke devijuar nga koncepti kushtetues i ndërtuar pas vitit 2001.

Profesori rendit katër pasoja kryesore që mund të burojnë nga një formulim i tillë: minoritarizimin juridik të shqiptarëve, regresionin kushtetues nga parimet e Marrëveshjes së Ohrit, reduktimin e të drejtave kolektive vetëm në dimensionin kulturor dhe krijimin e një përplasjeje ndërmjet identitetit kushtetues të shtetit dhe terminologjisë së së drejtës ndërkombëtare për pakicat.

Shasivari rikujton se Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk u ndërtua mbi modelin klasik shumicë-pakicë, por mbi parimet e bashkëndarjes së pushtetit, demokracisë konsensuale dhe barazisë substanciale ndërmjet komuniteteve.

Ai gjithashtu thekson se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut gëzojnë të drejta që tejkalojnë konceptin klasik të mbrojtjes së pakicave, duke përfshirë përfaqësimin adekuat dhe të drejtë, përdorimin e gjuhës, decentralizimin, mekanizmat e mbrojtjes përmes parimit të Badinterit dhe pjesëmarrjen në ushtrimin e pushtetit shtetëror.

Në fund të analizës së publikuar në Ina-Online, Shasivari vlerëson se çdo formulim juridik që cenon ekuilibrin e krijuar nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk është vetëm teknikisht i gabuar, por edhe politikisht i rrezikshëm dhe kushtetutshmërisht regresiv.

“Shqiptarët në Maqedoni nuk janë kategori që kërkojnë status minoritar mbrojtës, por element bashkë-konstitutiv i rendit kushtetues dhe politik të shtetit”, përfundon profesori universitar Jeton Shasivari në analizën e tij të publikuar në Ina-Online.

Trending