Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje me Iranin vetëm nëse plotësohen kushtet themelore të vendosura nga Uashingtoni, deklaroi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë pas një takimi të gjatë në Dhomën e Situatave.
Takimi, kishte në fokus shqyrtimin e një marrëveshjeje kornizë për zgjatjen e armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Megjithatë, ai përfundoi pa një vendim përfundimtar dhe pa njoftime zyrtare, ndërsa palët vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje mbi çështje kyçe, veçanërisht programin bërthamor iranian.
Sipas zyrtarit amerikan, Trump mbetet i hapur ndaj një marrëveshjeje vetëm nëse ajo përputhet me interesat strategjike të SHBA-së dhe respekton plotësisht vijat e kuqe të administratës së tij.
“Presidenti Trump do të nënshkruajë një marrëveshje vetëm nëse është e mirë për Amerikën dhe nëse kushtet e tij përmbushen. Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”, tha zyrtari.










