Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut dhe deputeti dhe nënkryetari i partisë VLEN, Bekim Qoku ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, lidhur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ali Ahmeti ka adresuar një mesazh drejtuar Albin Kurtit, duke i përmendur madje edhe “gjakun” e derdhur në proceset politike dhe historike.
“Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 është gurthemeli edhe i planit të Ahtisarit për Pavarësinë e Kosovës. Për këtë marrëveshje gjak derdhën edhe vëllezërit tanë nga Kosova dhe Shqipëria.”, ka shkruar Ahmeti.
Kundërpërgjigja e Bekim Qokut
Reagimi i deputetit të VLEN-it ka qenë i menjëhershëm dhe mjaft i drejtpërdrejtë.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në fajsbuk, Qoku ka ironizuar dhe ka goditur kreun e BDI-së duke e lidhur nocionin e “gjakut të derdhur” me skandalet ekonomike që kanë përfshirë njerëzit e afërt të Ahmetit.
“Sa gjak është derdhur për qendrën tregtare Soravia, z. Ali Ahmeti?” – ka shkruar shkurtimisht Qoku në rrjetet sociale.










