Hapësira ku u premtua ndërtimi i parkut memorial për viktimat e Spitalit modular në Tetovë vazhdon të mbetet e paprekur dhe e lënë pas dore. Ndonëse para gati një viti, pak para zgjedhjeve lokale, funksionarë qeveritarë dhe deputetë u shfaqën para kamerave duke bërë homazhe dhe duke premtuar me tone emocionale se viktimat nuk do të harroheshin, sot në terren nuk ka asnjë gjurmë punimesh. Premtimet e bujshme janë zëvendësuar me zvarritje institucionale, ndërsa familjarët dhe qytetarët ende presin realizimin projektit që u prezantua si detyrim moral ndaj viktimave të tragjedisë, shkruan Portalb.mk.
Parku memorial për 14 viktimat e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës vazhdon të mbetet vetëm një tabelë informuese.
Nuk ka asnjë informacion publik se kur do të fillojnë punimet, pasi ka kaluar gati se një vit që nga paralajmërimi i parkut.
Ndonëse për muaj të tërë nuk ishte kërkuar leje nga Komuna e Tetovës për këtë park, nga komuna për Portalb.mk bënë të ditur se tani më është kërkuar leje dhe se e njëjta është duke u procesuar, por pa dhënë afate dhe detaje konkrete se kur është dorëzuar e njëjta dhe kur do të jepet përgjigje.
Ndërkaq nga Ministria e Shëndetësisë e cila është bartëse e këtij projekti dhe nga ku me muaj të tërë nuk u përgjigjën në pyetjet e Portalbit për këtë çështje, tani na dhanë një përgjigje të përgjithshme, pa ndonjë detaj apo afat konkret.
“Procesi për realizimin e parkut memorial për viktimat e spitalit modular në Tetovë është në vazhdim. Aktualisht po përgatitet dokumentacioni i nevojshëm për shpalljen e prokurimit publik, në përputhje me procedurat ligjore dhe kërkesat teknike të projektit”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga ana tjetër, Nisma Zero, të cilët fillimisht e propozuan krijimin e këtij parku thonë se parku i kujtesës, i premtuar me aq pompozitet para 10 muajsh, sot është shndërruar në prk të harresës.
“As Komuna e Tetovës dhe as Ministria e Shëndetësisë nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për realizimin e tij, duke dëshmuar se kujtesa për 14 bashkëqytetarët që humbën jetën në tragjedinë e Spitalit Modular nuk është prioritet për institucionet. Parkun e promovuan para kamerave, por e lanë në harresë sapo u fikën ato. Fatkeqësisht, i njëjti fat e ka ndjekur edhe drejtësinë për këtë tragjedi, shumë premtime, shumë deklarata dhe asnjë përgjegjësi reale për fajtorët e vërtetë”, tha Blendi Hodai nga kjo nismë.
Ndërtimi i këtij parku memorial u paralajmërua më 30 korrik 2025, ku në këtë ngjarje morën pjesë deputetë të zonës gjashtë nga pozita, ministra nga kabineti qeveritar dhe funksionarë.










