Trendy

Për shëndetësinë kërkohet “ilaç” te ministri i ri – VLEN po bën kombinime para rikonstruimit të Qeverisë

Para 2 javë

VLEN po shqyrton disa kombinime kadrovike në prag të rikonstruimit të Qeverisë, të cilin kryeministri ka paralajmëruar për gjysmën e dytë të muajit qershor, shkruan SlobodenPecat.mk, përcjell tetova1

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat maqedonase, para takimit të pritur mes kryeministrit dhe dy bashkëkryetarëve të VLEN-it, po shqyrtohen disa variante për ndryshime në kabinetin qeveritar.

Një nga opsionet që përmendet është rotacioni mes zëvendëskryeministrit të parë Bekim Sali dhe ministrit të Shëndetësisë Azir Aliu. Në këtë skenar, Sali do të mbetej zëvendëskryeministër i parë, por do të merrte drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa Aliu do të kalonte në postin e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, në vend të Arben Fetait, i cili ka dhënë dorëheqje.

Burime partiake kanë deklaruar se analizat e brendshme tregojnë pakënaqësi më të madhe ndaj punës së zëvendësministrave dhe drejtorëve, ndërsa puna e ministrave të VLEN-it vlerësohet përgjithësisht pozitive. Përjashtim bën ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani, emri i të cilit nuk përfshihet në kombinimet aktuale për vazhdimin e mandatit në të njëjtin resor.

Nëse rikonstruimi kufizohet vetëm në ndryshime të vogla, atëherë pritet të ketë zëvendësime vetëm në Ministrinë e Politikës Sociale dhe në postin e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë. Në rast të një rikonstruimi më të gjerë, mund të ketë edhe shkëmbim resorësh ndërmjet partnerëve të koalicionit.

Për Ministrinë për Çështje Evropiane si kandidatë të mundshëm për ministër përmenden Agon Ferati dhe Flakron Bejxheti.

Nëse resori i Politikës Sociale mbetet nën drejtimin e VLEN-it, ministri i ri mund të vijë nga radhët e ish-anëtarëve të Lëvizjes BESA, tashmë pjesë e VLEN-it. Nëse ky resor kalon te një partner tjetër i koalicionit, VLEN thuhet se do të kërkojë Ministrinë e Kulturës ose Ministrinë e Sportit.

Ndërkohë, edhe pse emri i Fatmir Limanit nuk figuron në skenarët aktualë, mbetet e paqartë nëse ai do të vazhdojë të jetë pjesë e kabinetit qeveritar. Sipas burimeve, ai mund të propozohet për ndonjë post tjetër qeveritar, përfshirë atë të zëvendëskryeministrit pa resor ose të zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.

Sa i përket Arben Fetait, pas dorëheqjes së tij, ai pritet të emërohet përfaqësues special në Bruksel. Këtë e ka konfirmuar edhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, duke deklaruar se dorëheqja e Fetait është dhënë pikërisht për të marrë një funksion të ri diplomatik.

Një tjetër skenar që përmendet është mundësia që VMRO-DPMNE të kërkojë Ministrinë e Shëndetësisë. Në këtë rast, VLEN do të synonte të marrë Ministrinë e Arsimit.

Gjithashtu, VLEN pritet të propozojë zëvendësimin e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, për shkak të pakënaqësive me punën e tij. Ndryshime mund të ketë edhe në Ministrinë e Kulturës, ku zëvendësministri Sedat Sulejmani ka pasur mosmarrëveshje me ministrin aktual Zoran Ljutkov.

Nga ana tjetër, ZNAM ka bërë të ditur se nuk pret ndryshime në resorët që drejton, duke shprehur mbështetje për ministrin e Drejtësisë Igor Filkov dhe ministrin e Administratës Publike Goran Minçev. Sipas tyre, marrëveshja me VMRO-DPMNE-në parashikon bashkëpunim të plotë gjatë gjithë mandatit katërvjeçar./tetova1.mk

Trending