Trendy

Rama: Irani fushatë kibernetike kundër Shqipërisë

Para 4 orë

Kryeministri Edi Raaa vijon të këmbëngulë se investimi i Jared Kushner në Zvërnec do të bëhet, pavarësisht protestave të vazhdueshme të qytetarëve shqiptarë kundër qeverisë së tij.

Në një intervistë të fundit për Associated Press, ai tha se këto protesta po amplifikohen nga faktorë të jashtëm, ndërsa akuzoi Iranin për një fushatë të vazhdueshme kibernetike kudnër Shqipërisë.

Intervista e AP: Rama mbron projektin luksoz të lidhur me Kushnerin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është zotuar se do të vijojë me projektin luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump, pavarësisht valës së protestave kundër tij.

Në një intervistë për Associated Press të martën, Rama i hodhi poshtë kundërshtimet mjedisore, duke i cilësuar si rezultat të dezinformimit. Sipas tij, ky investim po e shndërron Shqipërinë nga një vend i injoruar dikur nga investitorët, në një vend “ku kapitali i madh dhe investitorët e mëdhenj duan të vijnë”.

Qeveria shqiptare argumenton se projekti do të ketë një ndikim transformues për vendin, në një kohë kur Shqipëria synon të zhvillojë turizmin elitar dhe të avancojë procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Megjithatë, mijëra qytetarë janë bashkuar në protestat e përditshme përpara Kryeministrisë në Tiranë, përfshirë edhe të martën, kundër projektit që parashikon ndërtimin e hoteleve, apartamenteve, vilave dhe një marine për jahte.

Kryeministri deklaroi se ende nuk ka nisur një vlerësim formal i ndikimit në mjedis, megjithëse puna për pastrimin e territorit brenda zonës së mbrojtur ka filluar.

I pyetur nëse mund të tërhiqej nga projekti, Rama u përgjigj prerazi: “Të tërhiqem nga çfarë?”

Ndërkohë, agjencia shqiptare kundër korrupsionit ka hapur një hetim lidhur me projektin. Qeveria pretendon se toka është pronë private, por janë shfaqur pretendime rivale mbi procesin e privatizimit të saj.

“Vendi juaj është mahnitës”

Rama tregoi se ideja për investimin e Kushnerit lindi rastësisht. Ai kujtoi një darkë në jug të Shqipërisë me Jared Kushnerin, bashkëshorten e tij Ivanka Trump dhe miq të tyre, të cilët kishin ndaluar në portin e Durrësit për të furnizuar me karburant jahtin e tyre gjatë rrugës drejt Malit të Zi.

Sipas Ramës, disa muaj më vonë, gjatë një takimi të liderëve politikë dhe drejtuesve të biznesit në Davos të Zvicrës, Kushner i shprehu interesin për të investuar në Shqipëri.

Trending