Zv. kryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, sot hapi mbledhjen e dytë të Komitetit Monitorues të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (Reform and Growth Facility – RGF), e cila u mbajt me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komisionit Evropian, Delegacionit të Bashkimit Evropian, institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë. Sali theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe zbatimit të reformave që sjellin rezultate të prekshme për qytetarët.
“Procesi i integrimit evropian nuk është vetëm një prioritet politik, por një investim strategjik në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin afatgjatë të vendit. Agjenda e Reformave është shndërruar në një instrument kyç për përshpejtimin e reformave dhe afrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian”, theksoi Sali.
Ai falënderoi Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shkup, ambasadorin Michalis Rokas dhe Komisionin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.










