Trendy

VLEN: Heshtja e BDI-së nuk e fshin dokumentin për serbishten

Para 5 orë

Koalicioni VLEN akuzoi sot BDI-në për shmangie të përgjegjësisë politike dhe heshtje përballë një dokumenti që, sipas tyre, dëshmon se kjo parti në vitin 2010 ka votuar për futjen e gjuhës serbe në përdorim zyrtar në Komunën e Kumanovës.

Në një konferencë për media, Afan Elezi tha se kanë kaluar 24 orë nga publikimi i dokumentit, ndërsa nga BDI ende nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar.

“Deri më tani, BDI nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këtë fakt. Nuk e mohoi dokumentin, nuk e mohoi vendimin dhe nuk e mohoi votën e saj. Zgjodhi heshtjen. Dhe në politikë, heshtja është pranimi më i mirë i së vërtetës”, deklaroi Elezi.

Sipas tij, sa herë që përballet me fakte dhe dokumente, BDI shmang debatin publik dhe përpiqet të zhvendosë vëmendjen në tema të tjera.

“Kur faktet janë kundër tyre, BDI ikën nga debati. Kur dokumentet flasin, ata ndërrojnë temë. Kur shqiptarët kërkojnë përgjigje, ata përsëri ndërrojnë temën”, tha Elezi.

Nga VLEN i drejtuan sërish pyetje publike BDI-së lidhur me arsyet e mbështetjes së zyrtarizimit të gjuhës serbe në Kumanovë.

“Pse BDI e mbështeti zyrtarizimin e gjuhës serbe në Kumanovë? Pse për këtë çështje kishte zell, votë dhe vullnet politik, ndërsa për problemet e shqiptarëve kishte vonesa, pengesa dhe çështje të lëna përgjysmë?”, pyeti Elezi.

Ai shtoi se qytetarët meritojnë përgjigje të qarta dhe jo, siç u shpreh, “deklarata boshe dhe patriotizëm sezonal”.

“BDI hesht, sepse dokumenti flet. Dhe kur dokumenti flet, propaganda nuk pi më ujë. VLEN nuk merret me propagandë. VLEN flet me fakte. Dhe fakti është ky: dokumenti ekziston, ndërsa BDI ende nuk ka guxim të përballet me të”, përfundoi Elezi.

Trending