Trendy

Araghchi: Nuk kemi qenë kurrë kaq pranë arritjes së një marrëveshjeje me SHBA-të

Para 1 javë

Irani ka deklaruar se një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit mes dy vendeve “nuk ka qenë kurrë më afër”, sipas ministrit të Jashtëm iranian Seyed Abbas Araghchi.

Deklarata u mbështet edhe nga ndërmjetësuesi Pakistanit, me kryeministrin Shehbaz Sharif që tha se “teksti final i marrëveshjes së paqes është arritur”, ndërsa po punohet për hapat e ardhshëm drejt finalizimit të saj.

Presidenti amerikan Donald Trump ka ripostuar deklaratën e palës iraniane, por njëkohësisht ka kundërshtuar raportimet mediatike mbi përmbajtjen e marrëveshjes, duke i cilësuar ato të pavërteta dhe të shkëputura nga dakordësitë reale.

Sipas raportimeve të mediave iraniane, draft-marrëveshja përfshin kërkesa si heqja e bllokadës detare amerikane, lirimi i aseteve të ngrira dhe mbështetje financiare për rindërtimin e ekonomisë iraniane, ndërsa kërkon edhe miratim ndërkombëtar përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Nga ana tjetër, zyrtarë amerikanë kanë deklaruar se çdo marrëveshje do të jetë e kushtëzuar me shkatërrimin dhe çmontimin e programit bërthamor iranian, si dhe me ndalimin e financimit të grupeve të armatosura në rajon.

Shtëpia e Bardhë ka theksuar gjithashtu se asnjë fond nuk do të lirohet menjëherë dhe se përfitimet ekonomike për Iranin do të vijnë vetëm pas përmbushjes së detyrimeve të dakorduara.

Zyrtarët amerikanë vlerësojnë se mundësia e arritjes së një marrëveshjeje është e lartë, por ende mbeten pengesa, përfshirë edhe ndasitë e brendshme politike në Iran.

Ndërkohë, palët vijojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për rrjedhje informacioni dhe interpretim të ndryshëm të kushteve të negociatave, ndërsa mbetet e paqartë se kur mund të nënshkruhet një marrëveshje finale.

Trending