Trendy

Visar Ademi: Shteti ka arkëtuar mbi 100 milionë euro në mënyrë të paligjshme nga pagesa në rrugën Gostivar-Tetovë

Para 5 orë

Analisti dhe aktivisti Visar Ademi ka reaguar ashpër lidhur me pagesën e taksës rrugore në aksin Gostivar-Tetovë, duke pretenduar se qytetarët prej më shumë se 25 vitesh paguajnë për një rrugë që vetë shteti e ka kategorizuar si rrugë magjistrale.

Sipas Ademit, në rrugët magjistrale nuk duhet të ketë pikë pagesore, ndërsa ai vlerëson se shteti ka arkëtuar në mënyrë të padrejtë mbi 100 milionë euro nga qytetarët dhe bizneset që e shfrytëzojnë këtë aks rrugor.

“Kjo ndodh sepse në Maqedoni nuk ka popull, por anëtarë dhe simpatizantë partish që jetën dhe zhvillimin e tyre e shohin përmes partisë dhe jo përmes interesit qytetar”, shkruan Ademi.

Ai shton se, po të kishte reagim më të madh qytetar, kabinat e pagesës në këtë rrugë do të ishin larguar prej kohësh.

Deklarata e tij ka nxitur debat në rrjetet sociale lidhur me ligjshmërinë e pagesave në aksin Gostivar-Tetovë dhe përgjegjësinë e institucioneve për menaxhimin e infrastrukturës rrugore.

Trending