Një akt i jashtëzakonshëm guximi dhe profesionalizmi është regjistruar në plazhin e Bibiones në Itali, ku roja i plazhit Edoardo Bertani, 26 vjeç, shpëtoi dy persona që rrezikonin të mbyteshin në det, shkruan albinfo.ch.
Bertani, i cili punon si roje plazhi në Bibione dhe si fizioterapist në Conegliano, vuri re dy burra në vështirësi rreth 40 metra larg bregut dhe reagoi menjëherë.
Ai arriti te notarët, i nxori të dy në breg dhe i dha ndihmën e parë njërit prej tyre, i cili ndodhej në gjendje më të rëndë, deri në mbërritjen e ekipeve të emergjencës.
Veprimi i tij është vlerësuar si një shembull i lartë i humanizmit dhe përkushtimit ndaj jetës së njerëzve. Për këtë arsye, ai ka marrë edhe vlerësime publike nga autoritetet lokale.
“Nuk ke nevojë të jesh hero për të shpëtuar një jetë, mjafton të jesh aty në momentin e duhur”, është mesazhi që përcjell kjo histori frymëzuese.
Me veprimin e tij, Edoardo Bertani dëshmoi se profesionalizmi, guximi dhe gatishmëria për të ndihmuar mund të bëjnë diferencën mes jetës dhe vdekjes. /Albinfo.ch










