Nënkryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e riemërtimit të rrugëve në Tetovë, duke akuzuar BDI-në dhe Gjykatën Kushtetuese për veprime të koordinuara me prapavijë politike, përcjell tetova1
Qamili vlerësoi se bëhet fjalë për një “punë gjysmake të BDI-së”, duke shtuar se tandemi BDI–Gjykata Kushtetuese po vazhdon përpjekjet për ta goditur VLEN-in përmes, goditjes së interesave të shqiptarëve.
Postimi plotë i Qamilit:
”Edhe një punë gjysmake e BDI-së, pjesë e tangos BDI-Gjykata Kushtetuese!
Tandemi BDI – Gjykata Kushtetuese vazhdojnë tentativat për ta goditur VLEN-in duke i goditur shqiptarët. Po shfuqizojnë një vendim që nuk është implementuar asnjëherë.
Nuk ka dyshim se kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese ndien një detyrim ndaj shumicës së mëparshme qeverisëse që i zgjodhi ata dhe sjell vendime për të ndihmuar politikisht BDI-në. Mjafton të shohim se kush i gëzohet vendimit skandaloz të kësaj përbërjeje të Gjykatës Kushtetuese. BDI-ja, e cila bëri zgjidhje gjysmake për riemërtimin e rrugëve dhe sot tinëzisht nxit vendime të tilla nga gjykata që e votuan vetë.
Këtë vendim skandaloz e bazojnë te procedura që BDI-ja nuk e respektoi dhe si rrjedhojë ato emra asnjëherë nuk u bënë të plotfuqishme.
Ne i kemi parapri kësaj, prandaj ka një Komision për Riemërtimin e Rrugëve në Tetovë i cili po punon intensivisht dhe së shpejti do të miratojë zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme e cila reflekton realitetin shoqëror të Tetovës”, përfundon Qamili./tetova1.mk










