Trendy

MPB: Shkatërrohet grup i dyshuar terrorist në Shkup, përhapnin propagandë të ISIS-it edhe nga burgu i Idrizovës

Para 3 orë

MPB njofton se Sektori për Luftë Kundër Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit pranë Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër J.K. (30), J.M. (22), M.T. (23), R.K. (23) dhe G.M. (34), të gjithë nga Shkupi, për shkak të dyshimeve se kanë kryer veprën penale “Organizatë terroriste” sipas nenit 394-a, paragrafi 3 të Kodit Penal.

Sipas MPB-së, pas informacioneve të siguruara nga partnerë strategjikë ndërkombëtarë, Sektori për Luftë Kundër Terrorizmit, në koordinim me Agjencinë për Siguri Kombëtare dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë për Krim të Organizuar, ka ndërmarrë aktivitete për identifikimin e administratorëve dhe anëtarëve të aplikacioneve në internet që nxisnin krijimin e organizatave terroriste.

Hetimet kanë zbuluar se J.K., në fund të vitit 2024, kishte krijuar një kanal mediatik në internet dhe një grup ku ishin anëtarë edhe personat e tjerë të kallëzuar. Gjatë viteve 2025 dhe 2026, ata dyshohet se kanë vepruar si organizatë terroriste, duke promovuar ideologjinë e organizatës terroriste ISIS dhe organizatave të tjera të lidhura me të, si dhe tekste me përmbajtje xhihadiste me qëllim përhapjen e propagandës, indoktrinimin ideologjik dhe glorifikimin e terroristëve të ISIS-it.

Më 16 qershor 2026, me urdhër gjykate, janë kryer kontrolle në pesë lokacione në territorin e Shkupit, prej të cilave tre në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Idrizovës, ku J.K. dhe R.K. po vuajnë dënime me burg, ndërsa G.T. ndodhet në paraburgim. Kontrollet janë kryer edhe në shtëpitë e J.M. dhe M.T.
Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar disa pajisje elektronike që do të shërbejnë si prova në procedurën penale.

Trending