Trendy

“Jepe dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”/ Revolta nuk ndalet, nis marshimi nëpër rrugët e Tiranës

Para 3 orë

Pas disa orësh proteste para godinës së Kryeministrisë, qytetarët që prej 18 ditësh janë bërë pjesë e lëvizjes për një “Shqipëri të re” kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Me pankarta në duar dhe nën thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike, protestuesit u nisën në marshim duke deklaruar se lëvizja e tyre nuk është më vetëm kundër një projekti apo një vendimi të caktuar, por kundër një sistemi politik që, sipas tyre, ka humbur lidhjen me qytetarët.

“Rama ik”, “Rama në burg”, “Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi”, “Jepe dorëheqjen” dhe “Shqipëri e re” ishin thirrjet që shoqëruan marshimin, ndërsa qytetarët paralajmëruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Gjatë tubimit para Kryeministrisë, disa qytetarë mbajtën fjalime të forta kundër korrupsionit, emigracionit masiv, varfërisë dhe kapjes së institucioneve. Një qytetar i sëmurë me kancer deklaroi se do të qëndrojë ditë e natë në shesh deri sa të dëgjohet zëri i protestuesve, ndërsa pensionistë dhe aktivistë kërkuan largimin e qeverisë dhe një model të ri politik për vendin.

Ndërsa kolona e protestuesve lëviz në rrugët e Tiranës, mes pjesëmarrësve mbizotëron bindja se lëvizja po fiton mbështetje çdo ditë e më shumë, jo vetëm në kryeqytet, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe në diasporë.

Ajo që nisi si një kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec, tashmë po shndërrohet në një revoltë më të gjerë kundër elitës politike shqiptare. Protestuesit pretendojnë se po sfidojnë një kastë politike që ka qeverisur vendin për dekada dhe se kërkesa e tyre kryesore mbetet ndërtimi i një “Shqipërie të re”, me institucione në shërbim të qytetarëve dhe jo të pushtetit.

Me marshimin që vijon në rrugët e kryeqytetit dhe me thirrjet që jehojnë në qendër të Tiranës, qytetarët shprehen të vendosur se protesta nuk do të ndalet, duke paralajmëruar se presioni qytetar do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Trending