Bie në pranga një mjek dhe një infermiere e Klinikës – tentuan të kontrabandojnë botoks në vlerë prej 615 mijë denarë

Një mjek dhe një infermiere kanë tentuar të kontrabandojnë gjithsej 199 flakonë botoks në vlerë prej 615 mijë denarësh, përmes një dërgese postare të deklaruar si mostra kozmetike me vlerë totale prej 80 dollarësh. Ndaj këtyre personave është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike (PTHP) Shkup për veprat penale të kryera: kontrabandë dhe mashtrim doganor, të dënueshme sipas Kodit Penal.

Grand Kozmetik

Rasti është zbuluar nga zyrtarët doganorë të Degës Doganore Shkupi 1, gjatë një kontrolli të detajuar të një dërgese postare të paraqitur për zhdoganim importi, për të cilën ishte bashkëngjitur një faturë ku saktësoheshin 10 mostra kozmetike. Gjatë hapjes së dërgesës, doganierët zbuluan 199 flakonë botoks, të cilët përdoren në mjekësinë estetike dhe nuk ishin të shënuar në faturë.

Rasti i është dorëzuar Sektorit të Hetimeve, i cili nisi veprime të posaçme para-hetimore, në kuadër të të cilave, me urdhër të prokurorit publik, u kryen bastisje në tri lokacione. Gjatë para-hetimit u konstatua se i dyshuari i parë, i punësuar si mjek në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza”, kishte porositur 199 flakonë botoks me vlerë 615 mijë denarë nga një kompani në Republikën e Koresë (Korea e Jugut) dhe ishte dakorduar që të njëjtët në faturë të deklaroheshin si 10 copë produkte kozmetike me vlerë totale prej 80 dollarësh. Më pas, ai ka kërkuar nga e dyshuara e dytë, e punësuar si infermiere në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza”, që të shënohej si marrëse e mallit. Ajo e ka ndihmuar në kryerjen e veprave penale duke pranuar që porosia të mbërrinte në emër dhe adresë të saj, si dhe duke e paguar faturën nga llogaria e saj transaksionale.