Trendy

Mbyllet raundi i parë i bisedimeve SHBA–Iran në Zvicër, Vance: Mund të sjellin ndryshime në Lindjen e Mesme

Para 4 orë

Raundi i parë i negociatave direkte mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit që u zhvillua sot në Bürgenstock të Zvicrës, ka përfunduar pas rreth 1 orë e 20 minutash.

Pas përfundimit të takimit, të dyja delegacionet u tërhoqën për konsultime të brendshme lidhur me ecurinë e procesit dhe situatën aktuale në rajon. Zyrtarë amerikanë kanë vënë theksin te rëndësia e dialogut diplomatik për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance, u shpreh optimist se këto negociata mund të sjellin ndryshime të rëndësishme në rajon.

“Procesi po zhvillohet me autorizimin e plotë të Presidentit Donald Trump, i cili i ka dhënë delegacionit tonë një mandat të qartë për të ndjekur zgjidhje diplomatike për çështjet komplekse që prekin sigurinë rajonale dhe komunitetin ndërkombëtar”, tha Vance.

Ai e cilësoi Iranin si “një faktor paqëndrueshmërie” në Lindjen e Mesme, por theksoi se dialogu mbetet rruga kryesore për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

Ky takim konsiderohet një hap i parë konkret në përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, pas viteve të tensioneve të larta. Detaje të mëtejshme mbi temat e diskutuara ose afatet e raundeve të ardhshme pritet të bëhen publike në orët apo ditët në vijim.

Trending