Biznesmeni Ramiz Kelmendi ka ndarë një histori personale nga investimi i Grupit ELKOS në Maqedoninë e Veriut, duke e përdorur atë si shembull për të argumentuar rëndësinë e krijimit të një klime të favorshme për investitorët e huaj.
Në një status të publikuar në Facebook, Kelmendi tregon se investimi erdhi pas një ftese nga ambasadori i Maqedonisë së Veriut, ndërsa qytetet e para ku u vendos të investohej ishin Shtipi dhe Gostivari.
Sipas tij, autoritetet lokale ofruan lehtësira në taksat e ndërtimit, u rregullua infrastruktura përreth objektit dhe supermarketi u përfundua në kohë rekord.
Ai kujton se gjatë ceremonisë së inaugurimit, kryetari i komunës e kishte vlerësuar investimin si një vlerë të shtuar për qytetin dhe shtetin, duke theksuar se objekti kishte zbukuruar arkitekturën e zonës dhe do t’u shërbente qytetarëve për shumë vite.
Kelmendi thotë se investimi vazhdon të gjenerojë të ardhura dhe se Grupi ELKOS është zgjeruar më tej në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Në reagimin e tij, ai argumenton se investimet e huaja sjellin përfitime të mëdha ekonomike, duke përmendur se vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraeli dhe Katari investojnë në shtete të ndryshme pa ndikuar në sistemin juridik të tyre.
Duke iu referuar Shqipërisë, Kelmendi shprehet se investimet e mëdha mund ta shndërrojnë vendin në një destinacion turistik konkurrues, të krijojnë treg të sigurt për fermerët dhe prodhuesit vendas, të rrisin punësimin dhe të nxisin zhvillimin ekonomik.
Ai përmend edhe funksionalizimin e Aeroportit të Vlorës dhe zhvillimin e sektorit të transportit e turizmit si përfitime të rëndësishme.
Sipas Kelmendit, refuzimi i investimeve të mëdha mund të dëmtojë klimën investuese, të largojë investitorët e huaj dhe të ulë besimin në aftësinë e shtetit për të garantuar stabilitet dhe siguri për bizneset.
Në përfundim, ai thekson se investitorët e huaj ndikojnë në rritjen e konkurrencës, pagave dhe standardeve të punës, ndërsa shton se qytetarët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre, por se pasojat e vendimeve do të ndikojnë edhe te brezat që do të vijnë.










