Një grup studentësh nga Serbia, pjesë e iniciatiës “Studentët në çdo fshat”, kanë realizuar një vizitë studimore në Kosovë, e cila është shndërruar në një temë të gjerë debati në opinionin publik dhe media.
Raportimet e tyre nga terreni, si dhe deklaratat në media, kanë hapur diskutime mbi perceptimet e realitetit në Kosovë, marrëdhëniet ndëretnike dhe mënyrën se si këto çështje trajtohen në diskursin politik në Serbi. Një nga pjesëmarrësit e ekspeditës, Mihailo Markoviç, student në Fakultetin e Drejtësisë në Beograd, në një intervistë për emisionin “Bez pardona”/ lexo shqip: Pa Pardon/, duke ndarë përshtypjet e tij nga vizita thekson se përvoja në terren ka ndikuar në ndryshimin e disa bindjeve të mëparshme.
“Përshtypjet janë vërtet të bukura. Bisedat ishin të mrekullueshme… Ne folëm me shqiptarë dhe u rrëzuan shumë paragjykime që ekzistonin më parë. Njerëzit jetojnë një jetë normale dhe situata është e mirë,” është shprehur Markoviç.
Kontaktet e drejtpërdrejta me qytetarët në Kosovë, sipas tij, kanë kontribuar në një perceptim më kompleks të realitetit social, duke sfiduar imazhet e krijuara më herët përmes mediave dhe diskursit publik në Serbi. Këto deklarata janë pasqyruar gjerësisht në media, përfshirë edhe tërditshmen serbe “Danas”, ku theksohet se përvojat e studentëve në terren kanë nxjerrë në pah një kontrast mes asaj që ata kanë hasur në Kosovë dhe narrativave dominuese në diskursin publik serb. Sipas analizës, disa nga studentët kanë vënë në pikëpyetje perceptimet e mëhershme mbi marrëdhëniet mes komuniteteve dhe situatën e përditshme në Kosovë.
Në të njëjtën kohë, vizita ka shkaktuar reagime të ndryshme në opinionin publik dhe në rrjetet sociale në Serbi. Disa e kanë parë ekspeditën si një përpjekje për të promovuar dialogun dhe njohjen e realitetit në terren, ndërsa të tjerë e kanë kritikuar atë, duke e interpretuar në kontekst politik dhe ideologjik.
Në analizat e publikuara në media, debati është lidhur edhe me mënyrën se si trajtohet çështja e Kosovës në hapësirën publike serbe, ku shpesh, sipas kritikëve, mbizotërojnë narrativa të polarizuara dhe të ndikuara politikisht. Në këtë kuadër, përvojat e studentëve janë paraqitur si një element që sfidon perceptimet e konsoliduara dhe hap diskutime të reja mbi marrëdhëniet ndëretnike në rajon.
Një nga studentët pjesëmarrës tha se ndërveprimet e drejtpërdrejta me qytetarët në Kosovë kanë treguar një realitet më të nuancuar sesa ai që paraqitet shpesh në diskursin publik, duke përmendur bashkëjetesën dhe përpjekjet për një jetë normale të përditshme.










