Trendy

Adnan Azizi ironizon Bajram Rexhepin: Hobe Bajram, jo referendum! E ti, Bajram, as rrugën e Sellcës nuk e bëre

Para 3 orë

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka ironizar  me deklaratën e kryetarit të Degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, lidhur me çështjen e emërtimit të rrugëve në Tetovë. Azizi ka ironizuar kërkesën e Rexhepit për veprim të shpejtë nga Komuna e Tetovës, duke e akuzuar BDI-në për dështime gjatë 22 viteve të qeverisjes, përcjell tetova1

Sipas Azizit, BDI-ja ka pasur në dispozicion pushtet qendror dhe lokal për më shumë se dy dekada, por nuk ka arritur të zgjidhë problemet kryesore të qytetarëve dhe të realizojë projekte infrastrukturore të rëndësishme.

Në reagimin e tij, Azizi ka theksuar se qytetarët tashmë kanë dhënë verdiktin e tyre përmes zgjedhjeve, ndërsa ka paralajmëruar se përgjigjja e radhës do të vijë në zgjedhjet e ardhshme.

Postimi i plotë i Adnan Azizit:

“Hobe Bajram, jo referendum!

Luftë bëmë në vitin 2001, Marrëveshjen e Ohrit e fituam, pastaj ju dhamë 22 vite pushtet qendror, pushtet lokal, gjysmën e qeverisë, ministra sa të duash, gjykatës e prokurorë me telefonata, madje edhe kryeministër teknik. Me pak fjalë, ju dhamë gjithçka: gjak, mund, djersë dhe rini.

Pas gjithë atyre viteve, emrat e rrugëve mbetën aty ku ishin, Tetova u mbush me deponi të egra, qen endacakë dhe probleme me ujin e pijshëm rrëzë Malit Sharr, ndërsa Pollogu u zbraz nga rinia që mori rrugën e mërgimit.

E ti, Bajram, as rrugën e Sellcës nuk e bëre. Shtyllat e shkollës u kalbën duke pritur investimet tuaja. Banorët pritën 22 vite dhe në fund u desh të vinte Bilall Kasami që të fillojnë të bëhen rrugët, shkollat dhe projektet që ju i kishit lënë vetëm në premtime.

Prandaj, para se të mbash ligjërata për referendume e kauza të mëdha, ndoshta bëj një referendum me banorët e Sellcës dhe të Tetovës: a e mbajnë mend ndonjë projekt tuajin?

Përgjigjen e parë e morët në kutitë e votimit. Dy herë radhazi humbët me rreth 5 mijë vota diferencë. Por përgjigjja më e fuqishme ende nuk ka ardhur. Ajo do të vijë në zgjedhjet e ardhshme, sepse në vend që të reflektoni, të reformoheni dhe të kërkoni falje për dështimet e 22 viteve, vazhdoni të merreni me shpifje, propagandë dhe arsyetime.

Qytetarët nuk harrojnë. Ata i mbajnë mend rrugët e pabëra, projektet e munguara dhe premtimet e harruara. Dhe kur vjen dita e votimit, japin përgjigjen e tyre më qartë se çdo referendum”, ka shkruar Azizi.

Ndërkaq, kryetari i Degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, në një konferencë për media ka kërkuar nga Komuna e Tetovës që brenda pak ditësh të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për çështjen e emërtimit të rrugëve, duke paralajmëruar se çdo refuzim do të konsiderohet si mbështetje e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Pjesë nga deklarata e Bajram Rexhepit:

“Komuna e Tetovës ka 2–3 ditë kohë të thërrasë seancë të jashtëzakonshme dhe të nisë procedurën për miratimin e vendimit për emërtimin e rrugëve.

Për këtë e kanë përkrahjen e plotë të këshilltarëve tanë.

Çdo refuzim do të konsiderohet si bashkëautorësi në vendimin anti-shqiptar të Gjykatës Kushtetuese, që cenon identitetin dhe dinjitetin e Tetovës”, tha Rexhepi në konferencën për media./tetova1.mk

Trending