Trendy

Kolegu godet me kamion për vdekje 54 vjeçarin në punë, ja detajet nga policia

Para 4 orë

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot paradite në rrugën “Rashtanski Pat” në Veles, ku ka humbur jetën 54-vjeçari O. Gj. nga Velesi, pasi u godit nga një kamion i drejtuar nga bashkëqytetari i tij S. D. (55).

Duke iu përgjigjur pyetjes së portalit Duma.mk lidhur me ngjarjen pranë hyrjes së një kompanie në rrugën “Rashtanski Pat”, nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Veles njoftuan se rreth orës 11:00, një automjet transportues i markës “Volvo” me targa të Shkupit dhe rimorkio me targa të Velesit, i drejtuar nga S. D. (55), ka goditur këmbësorin O. Gj. (54).

Si pasojë e plagëve të marra, këmbësori ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa vdekja është konstatuar nga një mjek i Ndihmës së Shpejtë të Velesit. Drejtuesi i kamionit është privuar nga liria, ndërsa në vendngjarje kanë kryer hetime prokurori publik dhe ekipi hetimor i SPB Veles. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për autopsi.

Portali Duma.mk fillimisht ishte informuar nga banorë të zonës se aksidenti kishte ndodhur vetëm pak metra nga hyrja e një firme, ku drejtuesi i kamionit dyshohet se ka përplasur për vdekje kolegun e tij.

Nga Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë pranë Shtëpisë së Shëndetit në Veles konfirmuan se ekipi i tyre ishte thirrur në vendngjarje.

“Thirrja në Shërbimin e Urgjencës është pranuar në orën 11:05, ndërsa ekipi mbërriti në vendngjarje në orën 11:10. Pas ekzaminimit të personit mashkull, u konstatua vdekja”, deklaroi dr. Stefan Spasovski për Duma.mk.

Trending