Trendy

Pishina e Tetovës rihapet për qytetarët, vendosen edhe orare të veçanta për gjininë femërore

Para 3 orë

Pishina e qytetit në Tetovë është rikthyer në funksion dhe ka nisur të presë vizitorët me fillimin e sezonit veror. Nga Komuna e Tetovës bëjnë të ditur se interesi për shfrytëzimin e pishinës është në rritje, veçanërisht gjatë fundjavave kur numri i vizitorëve arrin kulmin.

Pishina do të jetë e hapur nga e hëna deri të premten nga ora 08:30 deri në 16:30, ndërsa gjatë fundjavës do të punojë nga ora 09:00 deri në 21:00.

Në orarin e ri janë paraparë edhe termine të veçanta të dedikuara ekskluzivisht për gra dhe vajza. Çdo të mërkurë dhe të shtunë deri në orën 12:00, pishina do të jetë në dispozicion vetëm për to, ndërsa më pas do të vazhdojë të funksionojë për të gjithë vizitorët.

Udhëheqësi i Departamentit të Sportit në Komunën e Tetovës, Muhamed Avziu, theksoi se pishina frekuentohet nga qytetarë të moshave të ndryshme, përfshirë fëmijë, prindër, sportistë rekreativë dhe persona që notin e përdorin si pjesë të rehabilitimit ose për arsye shëndetësore.

Përveç pishinës ekzistuese, në Tetovë po ndërtohen edhe dy pishina të reja, njëra në shkollën e mesme Kiril dhe Metodi dhe tjetra në shkollën Naim Frashëri. Pritet që këto investime të përmirësojnë infrastrukturën sportive dhe rekreative në qytet, duke ofruar kushte më të mira për nxënësit dhe qytetarët.

Autoritetet lokale presin që pishina të mbetet një nga vendet më të frekuentuara për rekreacion dhe freskim gjatë gjithë sezonit veror.

Trending