Trendy

Qoku komenton deklarat e Ahmetit për protestat në Tiranë: Të korruptuar të Ballkanit, bashkohuni!

Para 2 orë

Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, duke i cilësuar ato si të gabuara dhe në mbrojtje të elitave të vjetra politike në rajon.

Qoku ka kritikuar pohimin e Ahmetit se Shqipëria e ka ndihmuar Kosovën gjatë luftës së vitit 1999 dhe se për këtë arsye shqiptarët duhet ta mbështesin Edi Ramën. Sipas tij, kjo deklaratë përmban dy gabime thelbësore.

“E para, Shqipëria identifikohet me një individ të vetëm, për të mos thënë me një parti politike. E dyta, Shqipëria trajtohet si një shtet dhe komb i huaj ndaj të cilit paskemi një borxh historik”, ka theksuar Qoku.

Deputeti i VLEN-it vlerëson se arsyeja pse Ahmeti kundërshton idenë e “Shqipërisë së Re” lidhet me faktin se ajo nënkupton ndryshimin e kastës së vjetër politike dhe të strukturave të korruptuara që, sipas tij, kanë dominuar për dekada.
“Shqipëria e Re nënkupton përmbysjen e kastës së vjetër e të korruptuar politike, e cila për 22 vjet me radhë e ka mbajtur gjallë Ali Ahmetin dhe shokët e tij”, ka deklaruar Qoku.

Ai shton se duke stigmatizuar protestat dhe protestuesit në Shqipëri, Ahmeti po mbron të njëjtin sistem politik që, sipas tij, ka ndërtuar lidhje të ngushta me oligarkinë.
“Shkurt: duke stigmatizuar protestën dhe protestuesit, Ali Ahmeti po sillet si njëra dorë që lan tjetrën. Të korruptuar të Ballkanit: bashkohuni!”, përfundon reagimi i deputetit Bekim Qoku.

Trending