Trendy

Komisari i Zajazit në shërbim të Sulltan Surrelit

Para 3 orë

Nga Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari

Komisari i Zajazit ka zgjedhur të bëhet megafon i Edi Ramës “Sulltan Surrelit”. Ai po mbron një antishtet të kalbur nga hajdutëria galopante. Ndërkohë, hesht paturpësisht përpara fyerjes që i bëhet dëshmorit të kombit, tropojanit Tahir Sinani. Për shefin e grupit parlamentar socialist, Taulant Ballën, ky hero kombëtar ishte thjesht një “mercenar” i paguar. Vajza dhe familja e Tahir Sinanit reaguan të tmerruar. Ata deklaruan se kjo baltë “e vrau komandantin për së dyti”.

Ku është Komisari i Zajazit? Pse nuk doli të mbrojë gjakun e Tahir Sinanit? Komisari zgjodhi të heshtë për heroin kombëtar. Miqësia me Sulltan Surrelin peshon më shumë se gjaku i dëshmorit. Pasi e ktheu gjakun e derdhur në kapital financiar, Komisari përdor retorikë të lodhur marksiste. Ai sulmon protestat legjitime të Gjeneratës Z në Shqipëri, duke i quajtur ato “gracka të armikut”.

Retorika e Komisarit është një kopje e shpëlarë e fjalimeve të xhaxhit Enver. Sipas kësaj logjike marksiste-leniniste, partia dhe shteti janë një. Kush prek xhaxhin, po godet industrinë, investimet dhe rrezet e diellit në Sarandë. Vetëm mendësia e vjetër e bunkerit mund të shpikë një teori absurde. Sipas tij, grekët dhe serbët bashkojnë forcat për të sabotuar sezonin turistik përmes protestave të qytetarëve.

Komisari përpiqet të mbrojë “industrinë e turizmit” dhe “investitorët”. Në fakt, ai po mbron akumulimin primitiv të kapitalit nga një klikë oligarkike. Kjo klikë vjedh përditë pronën publike në Shqipëri. Ndërsa flet për “pasiguri” të krijuar nga protestat, ai injoron Kushtetutën.
Stabiliteti i vërtetë i shtetit buron nga neni 1 dhe neni 3 të Kushtetutës së Shqipërisë. Aty sanksionohet se sovraniteti i përket popullit dhe tërësia e territorit është baza e shtetit.

Investitorët e huaj nuk po ikin nga protestat që “nuk dihet ku e kanë kokën”. Ata po ikin nga antishteti i Sulltan Surrelit që “dihet shumë mirë ku e ka dorën”.

Sa për Beogradin, Komisari po na tregon grackat e huaja. Ai harron se kush ulej këmbëkryq në Shkup për të vizatuar “Ballkanin e Hapur”.

Në atë tryezë vallëzohej tango me Vuçiqin. Interesat e Kosovës u injoruan plotësisht. Tani na del se protestuesit në Tiranë qenkan zëdhënës të Serbisë? Kjo batutë nuk pi ujë. Kur Sulltan Surreli i bënte elozhe e lëvdata Vuçiqit, quhej “vizionar evropian”. Kur qytetarët shqiptarë kërkojnë llogari prej tij, na qenka “Bota Serbe” në veprim. Ky është teatër komunist i absurditetit. Skenaristët janë në Zajaz e Tiranë, ndërsa regjisori në Beograd.

Komisari na kujton sakrificat e Shqipërisë për Kosovën. Ai flet sikur ato të ishin bërë me firmën e Sulltan Surrelit. Kushtetuta e Shqipërisë (Neni 8) e sanksionon qartë detyrimin ndaj kombit. Ky detyrim buron nga historia, jo nga oborri i Sulltanit. Ndihma për Kosovën nuk mund të përdoret si arsye për të mbyllur sytë para kapjes së shtetit. Pasiguria në Shqipëri nuk vjen nga populli në shesh, por nga antishteti i drejtuar nga Edi Rama.

Komisari tashmë është kthyer në një noter të falimentuar të klikës oligarkike. Duke përdorur paranojën serbe të stabilitetit me çdo kusht, ai mbron një regjim të rrethuar nga prangat e SPAK-ut. Ai tradhton kujtimin e dëshmorëve të kombit. Përfundimisht, Komisari e ka bërë zgjedhjen e tij: ai shkëmbeu gjakun e dëshmorit Tahir Sinani me antishtetin e Sulltan Surrelit.

Duke ricikluar paranojat e vjetra të bunkerit, ai nuk po mbron kombin, por thjesht xhepat e oligarkisë. Bilanci i Komisarit është sa i thjeshtë, aq edhe i turpshëm. Heshtje përballë baltës mbi Tahir Sinanin. Elozhe përballë dëmit që iu bë Kosovës me “Ballkanin e Hapur”. Dhe një retorikë e lodhur marksiste për të trembur shqiptarët.

Por harrohet një detaj: pasigurinë nuk e krijon Gjenerata Z në shesh. Atë e krijon dora e autokratit me fjalor rrugaçi që nuk është më në gjendje të ketë fjalën e fundit.
Komisari i Zajazit shkëmbeu gjakun e pastër të dëshmorit Tahir Sinani me ujin e ndotur të oborrit të Sulltan Surrelit. Ky nuk është më një debat politik, por një degradim kombëtar. Teksa përdor dordolecët e vjetër të xhaxhit Enver për të frikësuar Gjeneratën Z, ai harron se bunkerët e paranojës kanë rënë me kohë.

Sulltani me Komisarin e tij mund të kontrollojnë skenën e tyre të kalbur, por regjia e tyre e frikës ka dështuar.
Antishteti i Edi Ramës nuk ka parë gjë akoma, sepse koha e llogaridhënies po vjen.

(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuese në UEJL)

Trending