Protesta e 26 qershorit nuk ishte marshimi i idealeve. Ishte marshimi i frikës. Frika e atyre që shohin se rrethi i hetimeve po ngushtohet nga Shkupi deri në Tiranë. Kur politika nuk arrin më të mbrojë veten me argumente, përpiqet ta bëjë këtë me turma.
Nuk munguan njerëzit. Mungoi besimi. Tetova nuk refuzoi një protestë; refuzoi një model politik që prej kohësh nuk frymëzon, por kërkon shpëtim.
Para disa muaj SPAK pezulloi nga detyra zv-kryeministren e Sulltan Surrelit Belinda Balluku, e cila akuzohet për manipulim tenderësh me vlerë 200 milion euro ku shfaqet edhe një kompani partnere e nipit të Komandant Soravisë e cila rregullisht ka gllabëruar tenderat më tërheqës shtetërorë rrugorë në Shqipëri dhe e cila së bashku me kompaninë e nipit ishte edhe pronare e qendrës Soravia.
Kjo nuk është thjesht një aferë e izoluar biznesi, por një skemë e pastër oligarkike korruptive ndërshtetërore. Fijet e këtij rrjeti ngrenë dyshime të bazuara për një ndërlidhje të drejtpërdrejtë të Sulltan Surrelit, Komandant Soravia dhe ish-zv-kryeministres Balluku nën ombrellën e së cilës kompanitë e favorizuara operuan lirshëm me tenderët rrugorë.
Nata e 26 qershorit duhej të ishte dëshmia e “fuqisë absolute” të Komandant Soravia. Tamburet e propagandës partiake trumpetonin një ortek popullor që do të dridhte themelet e qytetit. Por, realiteti në terren tregoi diçka krejt tjetër.
Tetova thjesht refuzoi të marshojë sepse kohët kanë ndryshuar dhe mitet janë rrëzuar.
Ish-lideri që dikur thirrej në emër të idealeve, sot në zhargonin e përditshëm të tetovarëve njihet me nofkën: “Komandant Soravia”. Kjo nofkë nuk lindi rastësisht. Ajo buron direkt nga skandali i madh korruptiv me qendrën tregtare “Soravia” në Shkup, të cilën nipi i tij e bleu me zero denarë në xhep, por me miliona euro fuqi politike prapa vetes.
Ky pazar i pashpjegueshëm financiar mbetet vula e tranzicionit të dhimbshëm të një partie politike e cila përfundoi në luks oligarkik dhe izolim ndërkombëtar.
Sipas deklaratave të mëparshme të ministrit
Fatmir Limani, ai ngrinte pretendime për një kontrast të thellë ekonomik.
Limani publikisht deklaronte se: kanalizimi në Zajaz kap shifra prej 300-400 mijë eurosh, vetëm njëra veturë e familjes së Komandant Soravia kalon vlerën e 200 mijë eurove. Po ashtu, sipas pretendimeve të tij, një anëtar i kësaj familjeje ka blerë objektin “Soravia” për 40 milionë euro, shumë kjo që, siç argumentonte ai, do të mjaftonte për ndërtimin e një fabrike që do të punësonte mbi 1.000 të rinj për të parandaluar emigrimin e tyre në Gjermani. Ministri gjithashtu pretendonte se një tender në vlerë prej 120 milionë eurosh ishte përfituar nga shoqëruesi i dhëndrit të të njëjtit person. Lidhur me sarajin në Zajaz, Limani akuzonte publikisht se prezantimi i tij si pronë e trashëguar nga katragjyshi ishte një deklaratë e pavërtetë e bërë nga gënjeshtari dhe hajduti i shekullit.
Në vend që të ofrojë llogaridhënie për këtë pasurim të hovshëm, Komandant Soravia po mundohet ta zhvendosë vëmendjen te temat e ndjeshme ndëretnike, duke ricikluar kauza të vjetra si emrat e rrugëve në Tetovë. Është kulmi i hipokrizisë që sot kërkohet drejtësi për histori, nga po ajo parti politike që në vitin 2007 bëri një zgjidhje gjysmake e të dështuar ligjore, duke e lënë Tetovën në një ngërç administrativ dhe identitar për gati dy dekada, duke e përdorur këtë zgjidhje gjysmake vetëm si xhoker elektoral.
Tetovarët e kuptuan se ky marsh nuk u bë as për gjuhën, as për flamurin, e as për rrugët e qytetit.
Ky ishte një marsh për të shpëtuar lëkurën e Komandant Soravia.
Epoka e manipulimit me emocione etnike për të fshehur krimin dhe korrupsionin ka perënduar.
Tetova mbrëmë foli pa zë, por me një shuplakë të rëndë braktisjeje.
Mbaroi epoka e tregtisë me ideale për pushtet. Sot kontrasti është i dhimbshëm: nipi grumbullon miliona me zero denarë në xhep, ndërsa xhaxhai paguan faturën e izolimit politik dhe ndërkombëtar.
Duke refuzuar të bëhet mburojë e aferave ndërshtetërore nga Shkupi në Tiranë, Tetova tregoi se nuk ka më “ortekë popullorë” për të mbrojtur oligarkët.
Dikur kërkoheshin sakrifica për idealin. Sot kërkohen turma për të mbrojtur milionat. Ky është ndryshimi mes një ideali dhe një oligarkie. Tetova e kuptoi këtë. Prandaj nuk marshoi. Dhe ndonjëherë, heshtja e tetovarëve është protesta më e zhurmshme që mund të dëgjohet.
Nga ideali te “Soravia” nuk është vetëm historia e një individi.
Është historia e një rënieje morale që tetovarët nuk janë të gatshëm ta mbulojnë me flamuj.
(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuese në UEJL)










