Lidhja Shqiptare, e udhëhequr nga Ziadin Sela, ka reaguar me rastin e dyvjetorit të qeverisjes së koalicionit VMRO-DPMNE-ZNAM-VLEN, duke vlerësuar se gjatë kësaj periudhe janë realizuar dy objektiva kryesore: zbatimi i platformës së VMRO-DPMNE-së “Maqedonia përsëri e jotja” dhe rrënimi i Marrëveshjes së Ohrit në të katër shtyllat e saj themelore.
Në reagim thuhet se VMRO-DPMNE ka arritur të realizojë pothuajse të gjitha premtimet e saj parazgjedhore, ndërsa partnerët shqiptarë në qeveri kanë luajtur rolin e mbështetësve të këtyre politikave.
“Për këto dy vite të qeverisjes VMRO-ZNAM-VLEN u arritën dy objektiva kryesore: implementimi në përpikmëri i platformës së VMRO-së ‘Maqedonia përsëri e jotja’ dhe rrënimi i Marrëveshjes së Ohrit në secilën nga katër shtyllat kryesore. VMRO-DPMNE arriti të realizojë të gjitha premtimet parazgjedhore dhe pikat e platformës së saj, duke filluar nga shkelja e legjitimitetit të shqiptarëve si hap i parë që i hapi rrugën çdo veprimi tjetër në të ardhmen”, thuhet në reagim.
Lidhja Shqiptare rikujton premtimet e kryeministrit Hristijan Mickoski për shfuqizimin e mekanizmave të Marrëveshjes së Ohrit, duke pretenduar se ato tashmë janë realizuar përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe iniciativave ligjore të Qeverisë.
“Kujtoni kur VMRO dhe kryeministri Hristian Mickoski u zotuan se do të largojnë Balansuesin dhe Badenterin. Përmes Gjykatës Kushtetuese shfuqizoi Balansuesin dhe po përmes së njëjtës gjykatë shfuqizon çdo ligj e vendim që është sjellë me Parimin e Badenterit. Kujtoni kur tha se do ta rikthejë shtetin dhe institucionet në duart e maqedonasve. Fillimisht këtë e bënë përmes largimit të mijëra shqiptarëve nga puna dhe nga pozicionet udhëheqëse, ndërsa tani tentojnë ta bëjnë përmes propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ku përfaqësimi etnik eliminohet me ‘meritokraci’, ndërsa parimi i Badenterit me ‘Badenter të vogël’”, theksohet në reagim.
Sipas Lidhjes Shqiptare, gjatë këtyre dy viteve janë ndërmarrë hapa edhe kundër përdorimit të gjuhës shqipe dhe kundër decentralizimit.
“Ju sulën edhe Gjuhës Shqipe. Nuk arritën ta shfuqizojnë përmes Gjykatës Kushtetuese falë rezistencës dhe protestës së opozitës, por e ndaluan në praktikë përdorimin zyrtar duke i detyruar edhe funksionarët shqiptarë të shkruajnë dokumentet vetëm në një gjuhë. Më tragjikja, i detyruan që edhe deklarativisht të distancohen dhe të mohojnë Gjuhën Shqipe. Me vendim Qeverie, gjatë këtij dyvjeçari u fshi diaspora shqiptare dhe për pasojë u ul numri i këshilltarëve shqiptarë, u zvogëluan mjetet për komunat nga buxheti i shtetit dhe nga kredia hungareze, duke goditur shtyllën e decentralizimit në përgjithësi dhe atij fiskal në veçanti. Në këtë temë u bë edhe rikthimi i emrave jugosllavë dhe komunistë, duke shfuqizuar vendimin e Këshillit Komunal të Tetovës për emrat shqip të shesheve dhe rrugëve”, thuhet më tej në reagim.
Partia e Ziadin Selës vlerëson se me heqjen e Qeverisë teknike është cenuar edhe legjitimiteti politik i shqiptarëve në procesin e formimit të pushtetit.
“U hoq Qeveria teknike, e cila nuk do të jetë më pas zgjedhjeve të ardhshme. Edhe pse depolitizimi dhe parandalimi i ndërhyrjes së shtetit në zgjedhje nuk ndodhi, situata është bërë edhe më keq. Tashmë, pavarësisht se çfarë thotë qytetari shqiptar me votë, qeveria e fundit u formua me vullnetin e kryeministrit dhe jo me vullnetin e shqiptarëve”, thekson reagimi.
Në fund, Lidhja Shqiptare adreson kritika të drejtpërdrejta ndaj VLEN-it, duke e akuzuar se gjatë dy viteve në pushtet ka vepruar në dëm të interesave të shqiptarëve.
“Ndërkohë ‘përfaqësuesit’ shqiptarë pa legjitimitet në këtë Qeveri, VLEN, gjatë dy viteve kanë pasur vetëm një rol, atë të vasalit, relativizuesit dhe avokatit të atyre që kanë shkelur dhe degraduar shqiptarët. Për disa kolltuqe e privilegje, VLEN ua shiti fëmijëve tanë të drejtën e punësimit, gjuhën amtare dhe çdo të drejtë tjetër që u takon në tokën e të parëve, duke i bërë të ndjehen si të huaj”, përfundon reagimi i Lidhjes Shqiptare me rastin e dyvjetorit të qeverisjes së koalicionit VMRO-DPMNE-ZNAM-VLEN.










