Trendy

Si jetohet në burgun e Gjykatës së Hagës?

Para 2 orë

Ky institucion i sigurisë së lartë në Holandë funksionon si një stacion tranzit i pazakontë ku respektohet rreptësisht prezumimi i pafajësisë për të ndaluarit. Aktualisht aty po mbahen 7 ish-liderë politikë dhe ushtarakë nga Afrika dhe Azia, të cilët presin vendimet përfundimtare për krime të rënda ndërkombëtare.

“Nëse nuk ju pëlqejnë dyert, ky nuk është vendi i duhur për të punuar…”, thotë me buzëqeshje një nga rojet e qendrës së ndalimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), pasi ka hapur dhe mbyllur me dhjetëra të tilla.

Njësoj si kolegët e tij, ai nuk mban armë zjarri, elektroshok e as shkop gome. Mjeti i tij i vetëm është një pajisje portative për të kërkuar përforcime në rast emergjence. Ky kompleks i sigurisë së lartë ndodhet në Scheveningen, një lagje bregdetare e Hagës në Holandë, më pak se dy kilometra larg plazhit.

Ky nuk është një burg tradicional për të dënuarit me vendim të prerë. Gjashtë nga shtatë banorët aktualë, që të gjithë burra, janë në pritje të gjykimit, në proces aktiv gjyqësor ose në fazë apeli. Për këtë arsye, rojet respektojnë rreptësisht supozimin e pafajësisë.

Vetëm njëri prej tyre i ka mbyllur të gjitha shkallët gjyqësore dhe po pret që gjykata të caktojë shtetin ku do të vuajë dënimin. E themeluar në vitin 2002, Gjykata Ndërkombëtare Penale ndjek penalisht vetëm përgjegjësit e krimeve më makabre globale, si gjenocidi, krimet e lufte, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e agresionit. Përgjatë historisë së saj, gjykata ka ngritur 34 çështje gjyqësore, ka lëshuar 61 urdhër-arreste, ka dhënë 13 dënime të formës së prerë dhe ka shpallur 4 pafajësi.

Deri para pak kohësh, të 22 burrat që kishin kaluar nga kjo qendër që prej hapjes në vitin 2006 ishin me origjinë afrikane. Tendenca ndryshoi me të burgosurin e fundit, Rodrigo Duterte, ish-presidentin e Filipineve.

I arrestuar në Manila dhe i transferuar në Hagë në mars të vitit 2025, Duterte do të gjykohet për krime kundër njerëzimit, lidhur me fushatat e tij të përgjakshme anti-drogë midis viteve 2013-2018, të cilat lanë pas mijëra viktima.

Në listën e urdhër-arresteve të gjykatës, e që pritet të përfundojnë në këtë burg nëse kapen, janë edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, për krimet e luftës në Rripin e Gazës, dhe presidenti rus Vladimir Putin, për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas.

Për të vizituar këtë qendër, e cila ndodhet ngjitur me burgun holandez të Scheveningenit, kërkohet një leje speciale. Në majin e kaluar, një grup gazetarësh të huaj, përfshirë korrespondenten e gazetës EL PAÍS, patën akses në të.

Pasi kalon një kontroll të imtësishëm ku çdo sinjal metalik të kthen pas, dera e parë e blinduar mbyllet hermetikisht. Pasi lihen pas zyrat e avokatëve, sallat e takimeve dhe dy oborre të brendshme, gjendesh në zonën e të ndaluarve.

Qendra ofron disa lehtësi të pazakonta për një institucion të tillë, si për shembull një dhomë vizitash me lodra për fëmijë dhe dy qeli të veçanta për vizita intime me autorizim.

Të burgosurit kanë 200 minuta telefonatë falas në muaj, por takimet fizike lejohen vetëm një herë në vit për 10 ditë rresht. Siç shpjegon drejtori belg i qendrës, Marc Dubuisson, këto takime shpesh ndërthurin bisedat e ngrohta me tensionin.

Ai shton se këtu të gjithë janë të barabartë dhe asnjëri prej tyre nuk ka më pushtet, ndryshe nga ç’ndodhte në territoret që kontrollonin para se të transferoheshin në Hagë. Vizita vazhdon në kuzhinën moderne ku të burgosurit gatuajnë vetë, në palestër dhe në sallën e sporteve ku luhet basketboll, badminton apo kalçeto.

Ndonëse nuk lejohen të mbajnë celularë, ata mund të përdorin kompjuterë pa internet për të shqyrtuar dosjet e tyre gjyqësore. Në bibliotekën e vogël bien në sy librat e udhëtimeve, romanet, veprat filozofike, si dhe Bibla e Kurani.

Gjithashtu, të ndaluarit mund të ndjekin kurse gjuhësh të huaja, pikture apo informatike, si dhe kanë në dispozicion makina larëse e tharëse, pasi rrobat duhet t’i lajnë vetë. Pavarësisht këtyre lehtësive, ky mbetet një burg.

Dritaret kanë hekura dhe qelitë, të pajisura me krevat, lavaman, tualet dhe një tavolinë, i nënshtrohen një orari strikt. Dyert kyçen nga ora 8 e gjysmë e mbrëmjes deri në 7 të mëngjesit, ndërsa izolimi brenda qelisë është i detyrueshëm edhe gjatë mesditës dhe pasdites.

Ankesat më të shpeshta të të burgosurve lidhen me ushqimin, pasi dieta evropiane ndryshon kryekëput nga ajo aziatike apo afrikane. Drejtori shprehet se kjo ndodh në çdo qendër ndalimi dhe se stafi përpiqet t’u përshtatet kërkesave.

Ai shton me ironi se është shenjë e mirë kur ankohen për ushqimin, pasi kjo tregon që nuk kanë pakënaqësi për gjëra më serioze. Në kuzhinë shihen kuti me hudhra, qepë, patate e banane, ndërsa mbi banak një qese me salmon po shkrin pranë një friteze.

Të burgosurit kanë një buxhet prej 25 eurosh në javë për blerje personale dhe, ndonëse ka raste fërkimesh mes tyre, asgjë nuk ka shkuar deri në pikën sa të kërkohet ndërhyrja e policisë.

Nëse dikush hyn në grevë urie, qendra ka rregulla të qarta dhe nuk i detyron ata të hanë, pasi kjo do të shkelte të drejtat e tyre të njeriut. Edhe nëse një gjyqtar do ta urdhëronte këtë, drejtuesit do t’i përgjigjeshin se një procedurë e tillë nuk mund të kryhet në këtë institucion.

Përveç ish-presidentit Duterte, në këtë qendër vuajnë ose presin dënimin edhe 7 emra të tjerë të njohur. Midis tyre është Khaled Mohamed Ali El Hishri, një ish-zyrtar i lartë i milicisë libiane, i akuzuar për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit në burgun Mitiga.

Gjithashtu, aty ndodhet Mahamat Said Abdel Kani, ish-gjeneral i milicisë Seleka në Republikën Qendrore Afrikane, i cili po pret dhënien e dënimit të tij. Tashmë të dënuar në vitin 2025 dhe në proces apeli janë Alfred Yekatom dhe Patrice Edouard Ngaïssona, dy ish-liderë të milicisë së krishterë Anti-Balaka, të dënuar për krime kundër popullatës myslimane.

I burgosuri i gjashtë është xhihadisti nga Mali Al Hassan Ag Abdoul Aziz, i dënuar në vitin 2024, i cili pret në Hagë derisa të caktohet një shtet tjetër për vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit. I fundit është Alí Abd-Al-Rahman, i njohur si Ali Kushaib, ish-lider i milicisë Janjaëeed, i dënuar në vitin 2025 me 20 vjet burg për mizoritë në Darfur, çështje e cila ndodhet gjithashtu në apel.

Për t’u përshtatur me këtë mozaik kulturor, stafi i burgut është ndërkombëtar dhe zotëron shumë gjuhë, duke përfshirë arabishten dhe frëngjishten, të cilat fliten nga të ndaluarit aktualë.

Ndonëse dy krahët e kompleksit kanë kapacitet për 32 persona dhe aktualisht strehojnë vetëm 7, drejtoria e burgut është gati të bëjë përshtatje nëse aty do të transferohej ndonjë grua.

Dita në Hagë po mbyllet dhe dyert e 7 qelive do të qëndrojnë të hapura edhe për pak orë. Për gazetarët, erdhi koha e largimit./Përshtati “Pamfleti”, nga “El Pais

Trending