Shkruan Agron Shaqiri
Tetova ka një zakon të çuditshëm. Të pret gjithmonë sikur nuk je larguar kurrë, por sapo hyn në qytet ta kujton menjëherë pse një ditë u detyrove të ikje.
Vera është stina kur rrugët mbushen me makina me targa të huaja, kafenetë marrin frymë më lirshëm dhe sheshi mbushen me zëra që për njëmbëdhjetë muaj dëgjohen vetëm në kujtesë. Në këtë kohë kthehen mërgimtarët. Bashkë me ta kthehen përqafimet, malli dhe rrëfimet për një jetë të ndërtuar larg vendlindjes.
Por kthehet edhe një pyetje që Tetova ende nuk ka pasur guxim t’ia bëjë vetes.
A e duam këtë qytet vetëm kur na mungon?
Miq, dashuria për Tetovën nuk matet me fotografitë pranë Sharrit, as me darkat e gjata të korrikut. Ajo matet me mënyrën si sillemi me të çdo ditë. Me respektin për rrugën, për lumin, për fjalën dhe për njeriun pranë nesh.
Ne kemi një zakon të vjetër. Ankohemi për qytetin, por rrallë e pyesim veten çfarë i kemi dhënë. Kërkojmë ndryshim, por shpesh presim ta bëjë dikush tjetër. Na pëlqen ta quajmë Tetovën shtëpi, por ndonjëherë sillemi si mysafirë që nuk u intereson nëse drita mbetet ndezur apo oborri mbushet me mbeturina.
Edhe mërgimtari, edhe ai që ka mbetur këtu, kanë rënë në të njëjtën grackë. Njëri mendon se Tetova nuk ndryshon kurrë. Tjetri mendon se gjithçka është në rregull. E vërteta nuk është te asnjëri. Ajo ecën diku në mes, aty ku malli takohet me përgjegjësinë.
Migjeni do të thoshte se qytetet nuk sëmuren nga mungesa e ndërtesave. Sëmuren kur njerëzit mësohen me plagët e tyre dhe nuk i ndiejnë më.
O milet, a e dini se kur padrejtësia bëhet zakon dhe heshtja duket më e leverdishme se e vërteta, shoqëria fillon të humbasë ndërgjegjen.
Tetova nuk ka nevojë për njerëz që e duartrokasin verbërisht dhe e duan vetëm përmes fotografive në rrjetet sociale. Ka nevojë për njerëz që e duan aq sa ta kritikojnë kur gabon, ta mbrojnë kur sulmohet dhe të marrin përgjegjësi kur vetë bëhen pjesë e problemit.
Mërgimtarët nuk kthehen vetëm për të parë vendlindjen. Ata kthehen për të kërkuar një copëz nga vetja që e lanë këtu. Por malli nuk është leje për arrogancë. Nuk mund ta lavdërosh rendin e shtetit ku jeton dhe, sapo të hysh në Tetovë, të parkosh ku të duash, të hedhësh mbeturina, të bësh zhurmë dhe të sillesh sikur rregullat vlejnë vetëm për të tjerët. Nuk mund ta shash Tetovën se nuk është si Evropa, ndërsa vetë, për disa javë, të bëhesh pjesë e rrëmujës që e kritikon.
Vendlindja nuk ka nevojë vetëm për paratë e mërgimtarëve, as për makinat e tyre të shtrenjta dhe as për madhështinë e pushimeve verore. Ka nevojë edhe për kulturën e rendit që ata e respektojnë jashtë, për përgjegjësinë që ua mëson jeta larg dhe për modestinë e njeriut që e di se suksesi nuk matet me zhurmën që bën kur kthehet. Sepse qytetet nuk ndërtohen vetëm me asfalt e beton. Ndërtohen edhe me karakter. Dhe karakteri i Tetovës nuk pasqyrohet vetëm te ata që jetojnë këtu gjatë gjithë vitit, por edhe te ata që kthehen çdo verë dhe harrojnë se vendlindja nuk është pronë sezonale. Ajo është shtëpi. E shtëpia nuk është vetëm për t’u vizituar. Ajo është edhe për t’u respektuar.










