Përderisa presidenti amerikan, Donald Trump, është munduar që t’ia “shesë” luftën kundër Iranit publikut skeptik, ai në mënyrë të përsëritur ka përmendur një pikë: se marrëveshja bërthamore e ish-presidentit Barack Obama me Iranin ka qenë katastrofë dhe se ai do të prodhojë diçka shumë më të mirë.
Gjatë një paraqitjeje në televizionin “Fox News”, Trumpi e quajti paktin e arritur nga Obama “marrëveshja më e keqe që është nënshkruar nga ky shtet”, duke iu referuar ShBA-së.
Megjithatë, një sondazh i ri nga “Ipsos” dhe “Washington Post” ka lajm shumë të keq për Trumpin në këtë aspekt, raporton televizioni CNN.
Sipas këtij sondazhi, vetëm 23 për qind e amerikanëve mendojnë se Trumpi do të arrijë të sigurojë një marrëveshje më të mirë me Iranin se Obama në vitin 2015, ndërsa 37 për qind e tyre mendojnë se Trumpi do të sjellë një marrëveshje më të keqe.
12 për qind e pjesëmarrësve në sondazh mendojnë se marrëveshjet e Trumpit dhe Obamës do të jenë “pothuajse të njëjta”, ndërsa pjesa tjetër nuk shprehu ndonjë mendim.
Edhe në mesin e republikanëve, vetëm pak më shumë se gjysma (54 për qind) mendojnë se Trumpi do të sigurojë një marrëveshje më të mirë.
Televizioni amerikan thekson se të dhënat e këtij sondazhi në shumë mënyra e ilustrojnë dështimin e Trumpit për ta mbrojtur luftën që po i bëhet gjithnjë e më shumë përgjegjësi politike.










