Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se është ngritur kallëzim penal për veprën “punë e pandërgjegjshme në shërbim” ndaj një banoreje të Shkupit, pasi, edhe pse sipas ligjit ishte e detyruar të kryente dy kontrolle, ajo nuk ka kryer asnjë kontroll në një person juridik për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore.
SPB Sveti Nikollë ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Sveti Nikollës kundër D.P. (39) nga Shkupi për veprën penale “punë e pandërgjegjshme në shërbim”, sipas nenit 383-b, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Sipas MPB-së, e dyshuara D.P., në periudhën nga 18 nëntor 2022 deri më 21 gusht 2024, në cilësinë e kryetares së Komisionit për vlerësimin e përmbushjes së kushteve lidhur me hapësirën, pajisjet dhe kuadrin për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore pranë Ministrisë së Shëndetësisë, ka vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare.
Edhe pse, në përputhje me nenin 29-b paragrafi 5 pika 3 dhe nenin 29-v paragrafi 5 të Ligjit për kontrollin e drogave narkotike dhe substancave psikotrope, ajo ishte e detyruar të organizonte kontroll të kultivimit të kanabisit të paktën dy herë, nga mbjellja deri në korrje, nuk ka organizuar dhe nuk ka kryer asnjë kontroll në një kompani në Sveti Nikollë që prodhonte kanabis për qëllime mjekësore.
MPB shton se, pavarësisht njoftimeve të dorëzuara nga kompania gjatë viteve 2022 dhe 2023, e dyshuara nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për kryerjen e kontrolleve të parashikuara me ligj, duke vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Si pasojë, sipas policisë, ajo i ka mundësuar kompanisë të realizojë një tejkalim të prodhimit prej 56 kilogramësh kanabis, i cili është konstatuar në procesverbalin e kontrollit të kryer më 19 shkurt 2025.










