Sipas të dhënave të Eurostat të vitit 2025, në Shqipëri kishte 102.2 gra për çdo 100 burra, një raport pothuajse identik me Irlandën dhe më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian prej 104.2 grash për 100 burra.
Kjo e rendit vendin ndër shtetet europiane me balancën më të afërt mes gjinive.
Në rajon, vetëm Maqedonia e Veriut (101.9) ka një raport pak më të ulët. Kosova regjistron 103.8 gra për 100 burra 8sipas të dhënave të vitit 2022), Mali i Zi 103.3, Serbia 105.6 dhe Kroacia 104.8.
Në nivel europian, tabloja është krejt tjetër. Bashkimi Europian numëron mesatarisht 104.2 gra për 100 burra, që do të thotë se femrat janë rreth 4.2% më të shumta se meshkujt.
Kampionet absolute të këtij raporti janë vendet baltike. Letonia kryeson me 115.6 gra për 100 burra, e ndjekur nga Estonia me 110.8 dhe Lituania me 110.4. Në praktikë, kjo do të thotë se në Letoni ka gati 16% më shumë gra sesa burra, një diferencë më shumë se trefishi i mesatares europiane.
Arsyeja nuk lidhet me lindjet, pasi në të gjithë botën lindin pak më shumë djem sesa vajza. Shpjegimi gjendet te jetëgjatësia dhe struktura e popullsisë.
Sipas Eurostat, gratë jetojnë më gjatë se burrat në të gjitha vendet e BE-së, por hendeku është veçanërisht i madh në shtetet baltike.
Në Letoni, gratë jetojnë mesatarisht rreth 10 vjet më shumë se burrat, ndërsa në Lituani diferenca arrin 9 vjet dhe në Estoni afro 8.8 vjet.
Kjo do të thotë se në grupmoshat e vjetra numri i grave rritet ndjeshëm krahasuar me meshkujt. Fenomeni është përforcuar edhe nga emigracioni i dekadave të fundit dhe nga normat më të larta të vdekshmërisë së meshkujve në këto vende.










