Në një rrëfim që përzien nostalgjinë e viteve të rinisë me forcën e karakterit, këngëtarja e njohur Anxhela Peristeri ka ndarë dikur një histori vërtet interesante dhe të bujshme nga periudha e jetesës së saj në Greqi.
Përtej bashkëpunimeve të bujshme, si ai 6-mujor me Eleni Foureirën, vëmendjen e publikut e ka tërhequr një ngjarje e fshehur që u zbulua nga Alban Skënderaj: fakti se në moshën 20-vjeçare, Anxhela kishte rrahur dy vajza greke pasi ato i kishin sharë kombin.
Vitet e para të Anxhelës në shtetin fqinj nuk kanë qenë aspak një terren i fushës me lule. E ndodhur përballë paragjykimeve të vazhdueshme për shkak të origjinës së saj, artistja ka treguar se shpërthimi i saj erdhi si pasojë e një ngarkese psikologjike që kishte arritur kulmin.
“Jo grek greke, sepse fillimet e mia në Greqi ishin jo të mira, duke qenë se paragjykohesha nga origjina ime. Një ditë më erdhi në majë të hundës dhe reagova në atë lloj mënyre. Megjithatë, nuk them që nuk e meritonin, por nuk them dhe që ishte veprim i bukur nga ana ime,” rrëfente ajo pa doreza. Megjithëse adrenalina dhe gjaknxehtësia e moshës 20-vjeçare e shtynë drejt një reagimi të tillë fizik për të mbrojtur dinjitetin kombëtar, me kalimin e viteve dhe pjekurinë e arritur, Anxhela pranon se sot do të vepronte ndryshe.
“Kam qenë dhe më e vogël, vetëm 20 vjeç dhe nuk është se e mendova shumë, po të ndodhte tani nuk do e bëja,” është shprehur ajo, duke lënë pas një prej episodeve më të forta dhe më interesante të rrugëtimit të saj të hershëm, që tregon se krahas zërit të saj karakteristik, ajo ka pasur gjithmonë një shpirt prej luftëtareje.










