Në pikën kufitare Blato u ndalua një përpjekje për kontrabandë të mbi tre mijë gjilpërave për tatuazhe, njofton Administrata Doganore e Maqedonisë.
Zyrtarët doganorë në hyrje të pikës kufitare Blato konfiskuan mbi tre mijë copë gjilpëra dhe pajisje të tjera për tatuazhe, të cilat shoferi i një automjeti transportues tentoi t’i sillte ilegalisht në vend.
Gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët doganorë zbuluan në automjet, përveç gjilpërave, edhe 60 paketime me gjithsej 7,2 litra bojë për tatuazhe, 150 copë krem dhe mjete ndihmëse për tatuazhe, raporton Sloboden peçat.
Pajisjet për tatuazhe, si gjilpërat, rregullohen me leje të detyrueshme importi dhe çdo përpjekje për tregti ilegale me këtë mall paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve. Prandaj, apelojmë te të gjithë pjesëmarrësit e trafikut rrugor dhe të mallrave që të respektojnë dispozitat ligjore, sepse çdo përpjekje për të rrezikuar sigurinë e qytetarëve do të sanksionohet me ashpërsi maksimale, thonë nga Dogana.











